close
Rajoni

SOFJE: PRIVATIZIMI NËN LUPË

2112052319

Kryeprokurori bullgar për zbardhjen e procesit


Në Sofje, Kryeprokurori bullgar, Ivan Geshev, ka kërkuar nga Agjencia Shtetërore e Sigurisë Kombëtare që të bëjë verifikimin e plotë të procesit të privatizimit në vend dhe kontrollit të tij nga ministritë, agjencitë dhe organet e tjera shtetërore të ngarkuara me këtë çështje.

Sikurse theksohet në njoftimin zyrtar të Prokurorisë, verifikimi duhet të përfshijë të gjitha marrëveshjet e privatizimit, si janë bërë pagesat, pavarësisht llojit të mjeteve pagesore, si dhe të gjitha veprimet e ndërmarra për zbatimin e mbikëqyrjes pas privatizimit. Agjencia Shtetërore e Sigurisë Kombëtare duhet të përcaktojë a janë grumbulluar mjetet, kamatat, dëmshpërblimet dhe garancitë e parashikuara konform marrëveshjeve të privatizimit, përfshirë këtu edhe përmbushjen e tyre të pjesërishme dhe moskryerjen e detyrimeve.

Verifikimi duhet të përfshijë edhe analizën e raporteve të revizorëve të Entit Shtetëror të Revizionit si dhe çfarë veprimesh janë ndërmarrë për plotësimin e gjetjeve dhe të rekomandimeve të dhëna. Procesi i privatizimit në Bullgari ka filluar në fillim të viteve nëntëdhjetë dhe ai është shoqëruar nga afera që sikurse duket, kanë shtyrë Kryeprokurorin në Sofje të rishikojë shpërdorimet eventuale. /Klan Macedonia/

Klan Macedonia

The author Klan Macedonia