close
Top LajmeVendi

SOFJE: TË MBIJETUARIT E FATKEQËSISË NË GJENDJE STABILE

pirogov

OSMANI: NUK MUND T’I KONFIRMOJ EMRAT E VIKTIMAVE

Shtatë të mbijetuarit në aksidentin  e rëndë në Bullgari vazhdojnë të qëndrojnë për mjekim në spitalin në Sofje. Mjekët thonë se janë kryer ndërhyrje urgjente operative, por edhe se vazhdimisht u ofrohet ndihmë psikologjike pas traumës së rëndë që e kanë përjetuar. Në qoftë se gjendja e dy prej tyre mbetet stabile, do të lëshohen në trajtim shtëpiak në fund të javës. Sot në mëngjes pacientët i ka vizituar edhe Ministri Bujar Osmani, i cili në Sofje udhëtoi për ta ndihmuar procesin e bartjes së mbetjeve mortore të 45 udhëtarëve të vdekur.

Mjekët nga spitali i Sofjes “Pirogov” kanë njoftuar se shtatë të mbijetuarit në fatkeqësinë e autobusit janë pa komplikime dhe në gjendje stabile.

PROF.DR. MAJA ARGIROVA, SPITALI “PIROGOV”

“Gjashtë prej tyre janë në Klinikën për djegie dhe kirurgji plastike, ndërsa njëri në traumatologji. Të gjithë janë në gjendje stabile, u është dhënë ndihmë psikologjike, janë kryer intervenime urgjente operative gjatë ditës së djeshme, ndërsa dy do të operohen sot, njëri me djegie të thella në të dyja duart, ndërsa te një vajzë është i nevojshëm operacioni ortopedik.”

Trauma që e kanë përjetuar këta njerëz është e madhe dhe për këtë arsye thonë se është e domosdoshme mbështetja psikologjike.

MJEK, SPITALI “PIROGOV”

“Ndihma psikologjike u është ofruar që ditën e djeshme, sot do të vazhdojë, sepse vërtetë është e domosdoshme. Gjithçka që është e nevojshme do të bëhet. Dy operacionet e djeshme urgjente kaluan mirë, pacientët e kanë kaluar natën mirë.”

Ndihma psikologjike është posaçërisht e nevojshme për ata që i humbën të afërmit e tyre në autobus.

DR.NIKOLAJ

“Ky është aksident shumë i rëndë që paraqet stres shumë të madh dhe për këtë arsye të gjithve u ofrohet ndihmë psikologjike. Posaçërisht njerëzve që i kanë humbur të afërmit e tyre, ata janë nën presion edhe më të madh dhe kujdesemi për ta me vëmendje shumë të madhe.”

Sot në mëngjes pacientët i vizitoi edhe Ministri Bujar Osmani, i cili edhe vetë është mjek. Ai theksoi se në Sofje sot ka ardhur t’u ndihmojë të afërmve të viktimave.

BUJAR OSMANI, MINISTËR I PUNËVE TË JASHTME

“Ajo që kërkojnë familjarët është konfirmim për viktimat. Një pjesë e madhe e familjeve janë edhe miq të mi, të të njohurve të mi, sepse janë njerëz nga Shkupi, nga komuna prej ku vi unë. Edhe atyre nuk mund t’ua konfirmoj sepse së pari duhet të bëhet identifikimi. Nuk mund t’i konfirmoj emrat e të vdekurve. Për këtë duhet që zyrtarisht të na informojnë institucionet në Republikën e Bullgarisë.”

Në Sofje vazhdon identifikimi i 45 viktimave, me ndihmën e materialit biologjik të marrë nga të afërmit e tyre. Tre profesorët nga Instituti për Mjekësi Ligjore në Shkup, të cilët prej dje qëndrojnë në Sofje, pritet që sot të kyçen në procedurë, pasi u tejkaluan procedurat administrative./KlanMacedonia/

 

Klan Macedonia

The author Klan Macedonia