close
Top LajmeVendi

SOLIDARITET: MASKA MBROJTËSE ME PRINTERË 3D 

MASKA PËR MBROJTJE TË PERSONELIT MJEKËSOR


Në kushte të presionit gjithnjë e më të madh ndaj personelit mjekësor për shkak të epidemisë me Kovid19, një grup inovatorësh të rinj kanë bërë maska të tejdukshme për mbrojtje të mjekëve dhe të motrave medicinale. Në printerë 3-D janë prodhuar 400 maska brenda një dite dhe janë dërguar në klinikat e Shkupit. Në bisedë për TV Klan thonë se mendimi “nëse infektohen edhe mjekët nuk do të ketë kush do të na shërojë”, ishte motivi kryesor për këtë hap.

“Në qoftë se infektohene mjekët nuk do të ketë kush të kujdeset për shëndetin tonë” – ky mendim i ka bashkuar disa të rinj inovatorë dhe të përgatitur teknikisht, të cilët vendosën që të veprojnë shpejt dhe të ndihmojnë në luftën kundër Kovid 19. Ata së pari kanë dizajnuar dhe më pas me ndihmën e printerave 3-D kanë përpunuar maska mbrojtëse të tejdukshme, ose vizira, për mjekët dhe personelin tjetër mjekësor, të cilët janë në kontakt të drejtpërdrejt me të sëmurët

“Ideja lindi nga disa mjekë që janë shumë mirë të informuar me këtë mungesë dhe kërkuan ndihmë. Jemi befasuar që shumë njerëz kërkuan ndihmë nga ne, shumë më tepër se sa prisnim. Për momentin kemi të angazhuar mbi 30 printerë, kemi marrë donacione nga të gjitha anët, vullnetari ynë që posedon printer 3-D vetë duhet t’i marrë materialet dhe t’i punojë  vizirat. Kemi edhe modele të gatshme që i kanë provuar mjekët dhe thonë se janë komode dhe të dobishme.”-tha Aldin Kapetanoviq, organizator.

U duheshin tri ditë për t’u mobilizuar dhe vetëm 24 orë që të shtypin 400 maska, të cilat kanë filluar shpërndahen – së pari në Klinikën e sëmundjeve infektive.

“Për 24 orë kemi bërë 400 vizira të cilat  iu dorëzuan një distributori vullnetar, ata do të dërgohen në klinikë që të sterilizohen  në aparat për sterilizim me ujë dhe do të shpërndahen në pikat më të prekura – para së gjithash në klinikat shtetërore, Klinikën e sëmundjeve infektive dhe njësinë urgjente, te mjekët që janë drejtpërdrejt të ekspozuar ndaj pacientëve të infektuar.” –shprehet  Aldin Kapetanoviq, organizator.

Maska të tejdukshme në fytyrën e mjekëve që përballeshin me infeksionin së pari përmes mediave kemi parë në Kinë. Prej sot me maska të tilla do të disponojnë edhe mjekët tonë, duke iu falenderuar solidaritetit të disa të rinjve. Qëllimi i tyre është që të bëjnë vizira për të gjithë punëtorët shëndetësorë në vend, dhe pastaj të fokusohen në krijimin e veglave tjera medicinale të nevojshme. Në shumë vende të botës, me sisteme shëndetësore të zhvilluara, një nga problemet e personelit mjekësor është pikërisht mungesa e pajisjeve mbrojtëse, për shkak të numrit të madh të pacientëve dhe përhapjes së shpejtë të koronavirusit. /Verica Dimitrijevska/

Klan Macedonia

The author Klan Macedonia