close

ARMATA BASHKË ME POLICINË NË TERREN


Në bazë të rekomandimeve të Qeverisë, e cila vendosi që nga sonte të ketë orë policore, pjesëtarët e Armatës së Republikës së Maqedonisë së Veriut, do t’i dalin në ndihmë policisë. Qeveria e ka ngarkuar Armatën me tre detyra konkrete…

“Detyra e parë është marrja e tërësishme e kontrollit të linjës kufitare…  Detyra e dytë të pjesëtarëve të ARM-së do të jetë pjesëmarrja në ekipe të përbashkëta me policinë, që do të mund të kontrollojnë hyrje-dalje nga vende të caktuara, posaçërisht në pjesën e territoreve ku është shpallur kriza, por edhe pika kontrolli në rajon ku janë të angazhuar. Në bazë të rezolutave që i sollëm, ekipe të përbashkëta do të mund të kryejnë kontrolle edhe se a po respektohet ora policore si dhe masa e vetizolimit. Dhe detyra e tretë që e ka marrë armata është në këtë periudhë të sigurojë objektet me rëndësi të veçantë për shtetin.” – deklaroi ministrja e Mbrotjes Radmila Sheqerinska.

Ministrja e Mbrojtjes informoi se për punëtorët në media do të ketë përjashtime dhe do të mund të lëvizin edhe gjatë orës policore. E në ndërkohë, 7 hotele janë paraqitur në thirrjen e Qeverisë për t’i përdorur hotelet në rast nevojë për karantinë. /Furkan Saliu/

 

Klan Macedonia

The author Klan Macedonia