close
Bota

Spërthime në Odesa, një ditë pas marrëveshjes për grurin

odesa-1024×495

AUTORITETET UKRAINASE AKUZOJNË – “MOSKA I KA PËSHTYRË NË FYTYRË KOMBET E BASHKUARA”

Shpërthimet e dy raketave sot në mëngjes e kanë goditur portin ukrainas Odesa, vetëm një ditë pasi Kievi dhe Moska nënshkruan marrëveshje të rëndësishme për vazhdimin e eksportit të drithërave. Sipas marrëveshjes Rusia pajtohet të mos i sulmojë portet derisa zgjat ngarkimi i drithërave në anije, ndërsa Ukraina obligohet që t’i përcjellë anijet në ujërat e minuara. Kombet e Bashkuara marrëveshjen e kanë përshkruar si “shkëndijë shprese” pasi konflikti disamujor e ka penguar eksportin e drithërave.

Komanda jugore e Ushtrisë Ukrainase ka njoftuar se dy raketa të tipit Kalibr e kanë goditur portin Odesa në orët e mëngjesit, derisa dy të tjera janë pikasur nga mbrojtja ajrore. Zyra e Presidentit Volodimir Zelenski e ka dënuar sulmin, duke e akuzuar Rusinë për “krijim sistematik të krizës së ushqimit.”

“Me raketat ruse Vladimir Putini u ka pështyrë në fytyrë Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Antonio Guteresh dhe Presidentit turk Rexhep Erdogan, të cilët kanë bërë përpjekje të mëdha që të arrihet marrëveshja, për të cilën Ukraina është mirënjohëse,” deklaroi Oleg Nikolenko, Ministër i Punëve të Jashtme Ukrainë.

Një deputet lokal me fjalë fyese e ka përshkruar sulmin në rrjetet sociale.

“Këta të poshtër me njërën dorë firmosën marrëveshjen dhe me dorën tjetër i drejtuan raketat. Tani na duhen avionë me të cilët do të fundosim të gjithë flotën e Detit të Zi të Federatës Ruse. Kjo do të jetë zgjidhja më e mirë për eksportin e drithërave,” deklaroi Oleksi Honçarenko, Ukrainë.

Dje përfaqësues të Ukrainës dhe të Rusisë e nënshkruan marrëveshjen për lejimin e eksportit të sigurtë të miliona tonëve drithëra, të ngecuar në depot ukrainase që nga fillimi i agresionit rus. Burime diplomatike thonë se Moska ka mërrë përsipër të mos i sulmojë portet derisa zgjat ngarkimi, ndërsa Ukraina ka premtuar se do t’i përcjellë anijet në ujërat e minuara. Marrëveshja, për arritjen e së cilës ishin të nevojshëm dy muaj, pritet të zgjasë të paktën katër muaj, me mundësi për vazhdim dhe të jetë e koordinuar nga qendra në Stamboll, ku ka përfaqësues të Kombeve të Bashkuara, Turqisë, Rusisë dhe Ukrainës. Për momentin nuk ka informacione nëse ka viktima në njerëz në sulmin e sotëm në Odesa. /KlanMacedonia/

 

Klan Macedonia

The author Klan Macedonia