close
Top LajmeVendi

SPITALE TË MBUSHURA, TRE PERSONA TË VDEKUR NGA GRIPI

Screenshot_6

Kuzmanovska: Këtë javë ka 68% më shumë të sëmurë se javën e kaluar


Gripi i llojit A dhe B përhapet në mënyrë intensive në Maqedoninë e Veriut, duke prekur fëmijë dhe të rritur. Derisa pacientët lajmërojnë se “nuk ka shtretër të lirë”, sidomos në klinikat e fëmijëve në Shkup, autoritetet shëndetësore thonë se nuk kanë informacione për gjendjen në spitale. Tre pacientët e vdekur kanë qenë me sëmundje kronike. Numri i të sëmurëve nga 2000 në javën e kaluar, këtë javë shkoi në 5600.

Për momentin nuk ka rekomandime për regjim të posaçëm në shkolla dhe çerdhe për shkak të gripit që përhapet, por autoritetet shëndetësore nuk përjashtojnë masa shtesë në varësi të trendit të infeksionit. Gripi, nga i cili deri tani humbën jetën tre persona, pacientë me sëmundje kronike në moshë 14, 50 dhe 84 vjeç, përhapet në të gjithë shtetin, ndërsa janë të përhapur edhe lloji A edhe ai B.

“Numri i të sëmurëve edhe këtë javë vazhdon të rritet, është rreth 5560 raste të reja, rreth 74% numër më i madh se javën e kaluar. Në përgjithësi të gjitha qytetet në Maqedoninë e Veriut kanë raportuar për të sëmurë. Numri më i madh i të sëmurëve edhe më tej është në grupmoshën 15 deri 64 vjeç, edhe pse trendi i rritjes së rasteve të reja është i njëjtë, më së shumti sëmuren fëmijët deri në moshën 15 vjeçe.” –tha Gordana Kuzmanovska, Instituti i Shëndetit Publik.

Derisa prindërit ankohen se nuk ka vend për fëmijët e sëmurë në klinikat e fëmijëve në Shkup, nga Instituti i Shëndetit Publik thonë se nuk kanë informacione për kapacitetet në dispozicion nëpër spitale, as sa fëmijë mungojnë në shkolla për shkak të gripit sezonal. Nga ana tjetër Kuzmanovska kishte informacion se sot në aeroportin e Shkupit duhet të kthehen gjashtë persona nga Kina, punëtor ndërtimi të angazhuar në autostradën Kërçovë-Ohër, që do të kontrollohen me qëllim që të parandalohet “importi” i koronavirusit që paraqet kërcënim global.

“Jemi njoftuar, ministria jonë ka komunikuar me ambasadën kineze, dhe u tha se udhëtarët do të vonohen, është dashur të vinë më herët, sepse në Kinë i janë nënshtruar karantinës 14-ditore, para se të udhëtojnë. Këtu në aeroport do t’i presin punëtorët shëndetësorë dhe në varësi të gjendjes së tyre do të merren masa të mëtejshme. Është e mundur edhe ndalesa e tyre 14-ditore këtu në vendin tonë para se të fillojnë me punë.” -deklaroi Gordana Kuzmanovska, Instituti i Shëndetit Publik

Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Arbër Ademi informoi se ata janë duke e monitoruar situatën me gripin në vend dhe sipas rrethanave do të merren masat e duhura, përfshirë prolongimin e mundshëm të procesit edukativo-arsimor.

“Ne e monitorojmë situatën çdo ditë. Jemi në komunikim të vazhdueshëm edhe me Ministrinë e Shëndetësisë dhe institucionet e tjera. Do ta monitorojmë situatën dhe sipas rrethanave do të marrim masa konkrete. Ne jemi duke e monitoruar situatën dhe nëse është e nevojshme, mund të kemi prolongim të procesit edukativo-arsimor, në varësi të konkluzioneve që do të vijnë nga autoritetet kompetente përkatëse.” -vlerëson Arbër Ademi, ministër i Arsimit dhe Shkencës.

Përkundër “politikës së lartë” për luftë kundër sëmundjeve ngjitëse, pasqyra reale nuk motivon shumë. Rreth Ministrisë së Shëndetësisë, Fakultetit dhe Shkollës së mesme të mjekësisë edhe më tej ka grumbuj me mbeturina, që më shumë sjellin infektim se sa parandalim. Të rinjtë që mësojnë për teknikë medicinale në bisedë jozyrtare me ekipin e TV Klan theksuan se higjiena është më e rëndësishmja kundër sëmundjeve ngjitëse, por nuk u përgjigjën pse në ambienti rreth tyre është kaq i ndotur. /Biljana Georgievska/

 

Klan Macedonia

The author Klan Macedonia