close
Vendi

STEFOSKA: BULLGARIA TË PËRBALLET VETË ME ANËT E ERRËTA TË HISTORISË SË SAJ

D2728A64-4CE7-4126-9CDA-FC94436AC74B

Përballja me “anët e errëta të historisë së saj” është detyrë e çdo shoqërie, thekson ministrja e kulturës Irena Stefoska, duke shtuar se kryeministri Zoran Zaev përpiqet që ta shtyjë Maqedoninë e Veriut përpara, por nuk mund t’i ndihmojë Bullgarisë të përballet me historinë e saj. Ministri bullgar i mborjtjes, Krasimir Karakaçanov, duke e vlerësuar pozitivisht gjestin e Zaev ka shtuar se “në qoftë se ecim përpara kaq shpejt, vitin e ardhshëm mund të flitet për negociata me BE-në”.

Përmes një shembulli nga historia e Gjermanisë, ministrja e kulturës Irena Stefoska, me profesion historiane, theksoi se çdo vend duhet vetë të gjejë mënyrë për përballje me të kaluarën e tij, jo nëpërmjet kushtëzimit të vendeve fqinje. E pyetur për koment pas intervistës së kryeministrit Zaev për BGNES, ajo pranoi se këto procese në Ballkan ecin vështirë.

IRENA STEFOSKA, MINISTRE E KULTURËS

“Shoqëria bullgare, si çdo shoqëri tjetër, duhet të përballet vetë me anët e errëta të historisë së saj. Ka shumë shembuj si bëhet kjo. Si për shembull para 50 vitesh kancelari gjerman Vili Brant, gjatë vizitës së tij në Poloni, u gjunjëzua para përmenores së heronjve të getos së Varshavës. Në atë mënyrë kërkoi falje për krimet e nazistëve gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe kështu e hapi rrugën e procesit të faljes.”

Interpretim krejtësisht tjetër të qëndrimeve të Zaev ka ministri bullgar i mbrojtjes Krasimir Karakaçanov, një prej më të ngurtëve në kabinetin në Sofje në lidhje me çështjen maqedonase.

 KRASIMIR KARAKAÇANOV, MINISTËR I MBROJTJES, BULLGARI

“Guxoi, për çka disa nga kundërshtarët e tij e kritikojnë. Ky është hap i vogël në drejtimin e duhur. Në qoftë ecim përpara me hapa kaq të shpejtë, mendoj se vitin e ardhshëm do të mund të flasim për fillimin e procesit negociues.”

Derisa zgjat shkëmbimi i ideve në mes Shkupit dhe Sofjes për zgjidhjen e çështjeve të hapura, kryesisht për periudhën e para një shekulli në rajon, Maqedonia e Veriut mbetet në pasiguri nëse negociatat për anëtarësim në BE do të fillojnë me konferencën e planifikuar ndërqeveritare deri në fund të vitit, ose procesi për të cilin pret më shumë se 15 vite, sërish do të anulohet. /KlanMacedonia

Klan Macedonia

The author Klan Macedonia