close
Bota

SULMET NË FRANCË: DËNIME TË FUQISHME EDHE NGA RAJONI

Capture-1-567×315-1066×680

Vrasjet dhe plagosjet e njerëzve të pafajshëm janë dënuar fuqimisht edhe në rajonin e ballkanit- nga udhëheqës politikë, partiakë e fetarë. Drejtues shtetërorë dhe politikë të Maqedonisë u kanë shprehur ngushëllime autoriteteve më të larta të Francës dhe popullit të këtij vendi pas aktit terrorist në qytetin e Nisës.

Presidenti maqedonas Gjorgje Ivanov në një telegram ngushëllimi drejtuar familjeve të viktimave dhe presidentit francez, Francois Hollande, shkruan se “sulmi terrorist paraqet një akt të tmerrshëm dhe anticivilizues”.

Edhe kryeministri maqedonas Emil Dimitriev thekson se “sulmi terrorist në Ditën e Bastijes është përpjekje për përdhosjen e frymës së Republikës Franceze dhe të vlerave mbi të cilat mbështetet ajo”.

Ndërkohë, Bashkësia Fetare Islame në Maqedoni përmes një telegrami dërguar ambasadores franceze në Shkup, e quan një akt makabër që ka prekur thellë si popullin shqiptar po ashtu edhe besimtarët myslimanë dhe të gjithë qytetarët e Maqedonisë. Kjo bashkësi fetare thekson se “ky akt terrorist shkaktoi një tragjedi shokuese për mbarë njerëzimin e civilizuar.”

Sulmi i mbrëmshëm në Nicë të Francës është dënuar fuqimisht edhe nga institucionet politike e fetare në Kosovë. Kryeministri Isa Mustafa është shprehur i tronditur “me aktin barbar i cili la të vdekur dhjetëra njerëz të pafajshëm në qytetin e Nicës. Në këto çaste të rënda për shtetin dhe popullin francez, Kosova bashkëndjen dhe shprehë solidaritetin e plotë me popullin mik francez”,- thekson kryeministri Mustafa duke nënvizuar përkushtimin e Kosovës për të qenë pjesë e koalicionit global kundër terrorizmit.

Në një deklaratë të kryetarit të Bashkësisë Islame të Kosovës, Naim Tërnava krahas dënimit të sulmit theksohet se ai është kushtrimi më i mirë që bota e lirë duhet të jetë e bashkuar dhe unike kundër ekstremizmit e terrorizmit.

Në Shqipëri autoritetet më të larta të vendit dënuan me ashpërsi aktin e mbrëmshëm terrorist në Nisë të Francës ku humbën jetën 84 persona ndërsa dhjetra të tjerë mbetën të plagosur. Në një mesazh ngushëllimi dërguar presidentit francez François Hollande, kreu i Shtetit shqiptar Bujar Nishani shkruan se “akti i mbrëmshëm terrorist në Nisë, që përgjaku Ditën Kombëtare të Francës dhe gëzimin e francezëve, më tronditi dhe më revoltoi pa masë. E dënoj me forcën më të madhe këtë akt çnjerëzor dhe në këto momente dhimbje dhe zemërimi, unë dhe populli shqiptar jemi me ju dhe popullin francez”, theksohet në mesazhin e Presidentit Nishani.

Edhe ministria e Jashtme duke dënuar me forcë sulmin e rëndë terrorist të ndodhur dje në Francë ka “shprehur solidaritetin dhe ngushëllimet për popullin dhe autoritetet franceze në këtë moment të vështirë. Qëndrojmë krahë Francës në betejën kundër terrorizmit dhe dhunës ekstreme”, nënvizon ministria e Jashtme. Një pozicion të njejtë ka mbajtur edhe kryetari i opozitës Lulzim Basha. “Akti i pabesë terrorist, në orën që të rinj, fëmijë, burra e gra po festonin ditën kombëtare, ka lënduar gjithkend por jam i bindur se Franca do të ringrihet më e fortë. Ne jemi më të bashkuar se kurrë në luftën pa kompromis kundër çdo lloj ekstremizmi që merr jetë të pafajshme”, shkruan zoti Basha në Facebook. /TvArt/

 

 

Klan Macedonia

The author Klan Macedonia