close
Screenshot_7

Borisov: Nuk do të lejoj askush të fyejë popullin tonë


Edhe më tej vazhdojnë tensionet në mes Bullgarisë dhe Francës, të shkaktuara pas intervistës së presidentit francez Emanuel Makron, të cilën autoritetet në Sofje e përjetuan si fyese. Pas notës së djeshme të protestës për Parisin, ambasadorja franceze në Sofje nesër është thirrur në ministrinë bullgare të Punëve të Jashtme për të biseduar në lidhje me deklaratën e Makron se “më shumë do të dëshironte emigrantë të ligjshëm nga Guinea dhe nga Bregu i Fildishtë, sesa emigrantë ilegalë nga Bullgaria dhe Ukraina. Presidenti bullgar, Rumen Radev thekson se bullgarët janë qytetarë të Evropës së bashkuar dhe kanë të drejtën e lëvizjes së lirë.

Kryeministri bullgar, Bojko Borisov, mbrëmë në rrjetin social Fejsbuk tha se në bisedë telefonike, presidenti francez Emanuel Makron e ka bindur se asnjëherë nuk i ka kritikuar qytetarët bullgarë, përkatësisht se mënyra në të cilën është përcjellur intervista e tij për javoren “Valeus aktuel”, në të cilën theksohet se ai “ai i parapëlqen emigrantët e ligjshëm nga Guinea dhe Bregu i Fildishtë, sesa emigranëtët ilegalë ose bandat nga Bullgaria dhe Ukraina”, nuk përputhet me të vërtetën.

“Ai më ka shprehur bindjen se asnjëherë nuk i ka kritikuar qytetarët bullgarë, punëtorët ose institucionet. Presidenti Makron e ka konfirmuar mbështetjen për Bullgarinë. Si kryeministër i Bullgarisë nuk do të lejoj askush të fyejë popullin tonë dhe shpresoj që në të ardhmen të mos vijë deri në situata të këtilla.” –deklaroi Bojko Borisov, Kryeministër i Bullgarisë.

Këtij mendimi iu bashkangjit edhe presidenti Rumen Radev, i cili theksoi se nuk ekzistojnë emigrantë bullgarë, por shtetasit bullgarë janë qytetarë evropianë.

“Nuk ekzistojnë emigrantë bullgarë. Le të jetë e qartë se Bullgaria, për dallim nga vendet tjera, është anëtare e BE-së, dhe qytetarët bullgarë janë qytetarë të Evropës së Bashkuar. Liria e lëvizjes është e drejta e tyre. Mendoj se politika e jashtme është tepër delikate që të përdoret për PR të lirë parazgjedhor, nga cilido qoftë vend.” –vlerësoi Rumen Radev, Presidenti i Bullgarisë.

Në intervistën për “Valeus aktuel” Makron flet për politikën e emigrantëve, për atë se parapëlqen migracion legal, të regjistruar dhe me kuota për disa vite, sesa punë e fshehur në të zezë, siç thuhet. Qindra mijëra shtetas bullgarë, por edhe persona nga vendet fqinje që në mënyra të ndryshme kanë siguruar pasaportë bullgare, janë shpërngulur në vendet e Evropës perëndimore, pas anëtarësimit të vendit në Bashkimin Evropian në vitin 2007. /Biljana Georgievska/

 

Klan Macedonia

The author Klan Macedonia