close
Vendi

TETOVË: TAKIM LAMTUMIRËS I AMBASADORIT ITALIAN ME AHMETIN DHE THAÇIN

thaci-3

 

Në fund të mandtit të tij, ambasadori Italian në Maqedoni ka zhvilluar sot në Tetovë takime lamtumirëse me liderët shqiptarë, Ali Ahmeti e Menduh Thaçi

Ali Ahmeti dhe Ambasadori Italian, në takimin e tyre të përbashkët në selinë e Bashkimit Demokratik për Integrim,  diskutuan rreth zhvillimeve të fundit në procesin negociator për zgjidhje të krizës politike në vend dhe hapjen e rrugës pë mbajtjen e zgjedhjeve gjithëpërfshirëse.

Ahmeti përsëriti qëndrimin e Bashkimit Demokratik për Integrim që data e zgjedhjeve duhet që të përcaktohet pasi që partitë politike të vlerësojnë se janë përmbushur kushtet për mbajtjen e zgjedhjeve të besueshme, duke kërkuar që partitë politike maqedonase të tejkalojnë çështjet e hapura midis tyre.

Ambasadori Italian, sipas komunikatës për shtyp të kësaj partie,  vlerësoi lartë rolin e Bashkimit Demokratik për Integrim në procesin negociues dhe shprehu bindjen që ky kontribut do të vijoj edhe në tejkalimin e çështjes së fundit.

Ambasadori i Italisë në Maqedoni, Ernesto Bellelli, ishte në një takim lamtumirës edhe me kryetarin e Partisë Demokratike Shqiptare, Menduh Thaçi.

Thaçi dhe Ambasadori Bellelli shkëmbyen mendime për situatën aktuale politike, marrëdhëniet ndëretnike, si dhe për integrimet euro-atlantike të vendit.

Kreu i PDSH-së e njoftoi Ambasadorin Bellelli me qëndrimet e partisë së tij rreth krizës aktuale politike  dhe situatës së përgjithshme në vend, si dhe me mundësitë e daljes nga kjo krizë, duke vlerësuar se përgjegjësia për situatën e rëndë në vend dhe bllokimet e proceseve integruese, bie mbi Qeverinë e Maqedonisë.

Shqiptarët e Maqedonisë nuk do të heqin dorë prej rrugës drejt integrimit në Unionin Evropian dhe në NATO dhe se në këtë drejtim, siç u tha në takim, Partia Demokratike Shqiptare do të vazhdojë të komunikojë me të gjithë faktorët relevant në vend dhe jashtë.

Ambasadori Bellelli theksoi se vendi i tyre përkrah zbatimin e plotë të reformave në vend si dhe vlerësoi lartë përpjekjet e PDSH-së në këtë drejtim, duke shpresuar në vazhdim të dialogut dhe në gjetjen e zgjidhjes sa më të shpejt. /Xh. I. /

 

Klan Macedonia

The author Klan Macedonia