Thatësira nxjerr në pah rreziqet për furnizimet me energji elektrike

Ekspertët thonë se thatësira e vazhdueshme në Mbretërinë e Bashkuar dhe Evropë po e vë nën presion prodhimin e energjisë elektrike.

Energjia elektrike nga hidrocentralet, e cila përdor ujin për të prodhuar energjinë, ka rënë me 20% në përgjithësi. Edhe objektet bërthamore, të cilat ftohen duke përdorur ujin e lumenjve, janë kufizuar.

Mes ekspertëve ekziston një frikë se mungesat janë një shije e asaj që do të ndodhë në dimrin e ardhshëm. Në Mbretërinë e Bashkuar, temperaturat e larta po godasin prodhimin e energjisë nga burimet fosile, bërthamore dhe diellore.

Kjo për shkak se teknologjia në termocentrale dhe panele diellore nuk funksionon edhe aq mirë në temperatura të larta.

Periudha e zgjatur e thatësisë po ushtron presion të mëtejshëm mbi furnizimet me energji ndërsa Evropa po përpiqet për burime alternative pas pushtimit rus të Ukrainës.

Energjia hidrike është një burim i rëndësishëm për Evropën, por mungesa e ujit në lumenj dhe rezervuarë tani po redukton ndjeshëm aftësinë e uzinave për të prodhuar energjinë e nevojshme elektrike.

Italia merr rreth 1/5 e fuqisë së saj energjetike nga hidrocentralet! Por kjo ka rënë me rreth 40% në 12 muajt e fundit.

BBC shkruan se është një histori e ngjashme edhe në Spanjë. Sasia e energjisë elektrike të prodhuar është ulur me 44%, sipas të dhënave nga studiuesit e energjisë Rystad Energy.

Shifrat nuk janë vetëm në një pjesë të Evropës sipas një analisti të Rystad. Fabian Ronningen tha se të gjitha vendet e mëdha prodhuese të hidrocentraleve po prodhojnë më pak energji tashmë.

“Është me të vërtetë një ndikim i madh,” tha eksperti.

Norvegjia po përjeton gjithashtu sfida me hidro-elektricitetin. Qeveria paralajmëroi se mund të mos jetë në gjendje të vazhdojë të eksportojë energji në vende si Britania e Madhe nëse nuk i mbushen rezervuarët.

Ekspertët thonë se problemet po shkaktohen edhe nga mungesa e investimeve në modernizim dhe në linjat e transmetimit.

“Ne do të përballemi me një problem këtë dimër. Dhe kjo duhet të jetë një thirrje për të pasur më shumë investime në infrastrukturë për vitet e ardhshme,” thotë Eddie Rich nga Shoqata Ndërkombëtare e Hidroenergjisë.

Moti jashtëzakonisht i nxehtë po godet gjithashtu prodhimin e energjisë bërthamore, veçanërisht në Francë. Rreth gjysma nga 56 reaktorët e saj janë jashtë linje.

Ata reaktorë që janë duke punuar shpesh ftohen me ujë nga lumenjtë që tani janë në nivele të ulëta, ndërsa temperaturat e saj janë të larta. Qeveria franceze tani po i lejon disa uzina të lëshojnë ujë shumë të ngrohtë përsëri në lumenj, si një masë e përkohshme.

Franca po e kompenson mungesën e energjisë elektrike duke importuar ndër të tjera nga Britania e Madhe për momentin. Analistët thonë se kjo po ushtron presion shtesë mbi sistemin e Mbretërisë së Bashkuar./tvklan.al

Lexo gjithashtu
Total
0
Share