close
Rajoni

TIRANË: DEKRIMINALIZIMIT I SHKOHET DERI NË FUND?

no thumb

Pas kritikave të administrates amerikane  në adresë të politikës shqiptare që ka lejuar futjen në parlament të një njeriu që më herët kishte qenë i dënuar për trafikim të qenieve njerëzore, duket se politikanët në Tiranë më në fund do t’i japin shtytje të reja marrëveshjes për dekriminalizimin e skenës politike në vend. Partia demokratike sot ka rikthyer  platformën e saj për zbatimin e marrëveshjes  në fjalë. Ndërkohë, Lideri i PD-së Lulzim Basha, ka pritur në selinë e partisë ambasadorin amerikan, Donald Lu. Besohet se dekriminalizimi ka qenë në qendër të vëmendjes.

Në Tiranë, Partia Demokratike opozitare ka rikthyer në tryezën e diskutimit politik platformën për dekriminalizimin, të cilën e publikuan në fillim të këtij viti pas marrëveshjes konsensuale me qeverinë në dhjetor. Deputeti i kësaj partie  Oerd Bylykbashi foli për pikat kryesore të këtij drafti që pastron politikën dhe administratën nga të inkriminuarit, e ku spikat një element shtesë, test droge për të gjithë zyrtarët.

Ndonëse propozimi i mëhershëm i demokratëve nuk u kalua asnjëherë nëpër komisionet parlamentare, që sipas demokratëve përbën një shkelje të kushtetutës, deputeti Bylykbashi  tha sot se kjo paketë bën që zyrtarëve të cilët rezultojnë të inkriminuar tu ndërpritet mandati.

Sipas kësaj pakete, kushdo që ka një llogari të hapur me drejtësinë e vendeve të tjera duhet të përjashtohet nga përfshirja në politikë. Kjo vlen edhe për personat që janë në procese gjykimi dhe hetimi në lidhje me kryerjen e krimeve të rënda.
Për tu vërtetuar nëse ata kanë qenë të përfshirë ose jo në veprimtari kriminale në të shkuarën, tha Bylykbashi, – do të merren shenjat e gishtërinjve.
Disi në të njëjtë kohë kur demokratët publikonin platformën e tyre për dekriminalizimin, në selinë e PD-së ka qëndruar ambasadori i SHBA-së Donald Lu. Në takimin 45 minutësh mësohet të jetë diskutuar në mënyrë specifike për dekriminalizimin, pasi për  administratën amerikane ky proces mbetet prioritet kyç i demokracisë në Shqipëri. /Agjencitë e lajmeve/

 

Klan Macedonia

The author Klan Macedonia