close
Rajoni

TIRANË: MË NË FUND MIRATOHET REFORMA NË DREJTËSI

reforma

Në Tiranë, parlamenti shqiptar, pas debateve të shumta ka miratuar mbrëmë pas mesnate me një konsensus të plotë Reformën në Drejtësi. Gjithë kjo është arritur pas bisedimeve shtatë orëshe me ndërmjetësim  të ambasadorit amerikan, Donald Lu, dhe ambasadores së Delegacionit të Bashkimit Evropian, Romana Vlahutin, kur opozita këmbënguli për formulën e emërimeve nga ana e parlamentit të disa prej anëtarëve të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë.

Miratimi i Reformës është përshëndetur nga të dyja krahët e politikës shqiptare. Për kryeministrin Edi Rama, me këtë fillon një revolucion në sistemin e Drejtësisë. Ai ka siguruar qytetarët shqiptarë se tani e tutje gjykatësit e prokurorët e korruptuar do t’i fshijë nga sistemi i drejtësisë fshesa e hekurt e Vetting-ut ku trupat e zbatimit të reformës do të paraseleksiohen dhe do të mbështeten nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit.

Kryetari i Partisë Demokrtatike, Lulzim Basha, ka vlerësuar rolin e opozitës  për arritjen e zgjidhjes. Sipas tij, ajo luajti një rol qëndror për abortimin e përpjekjes së rrezikshme të shumicës për kapjen e sistemit. Miratimi nga ana e parlamentit u përshëndet mënjeherë nga ndërkombëtarët. Ambasadori amerikan Donald Lu, ka përgëzuar parlamentin për  arritjen e konsensusit  duke thënë se miratimi I Reformës e ka bërë Shqipërinë një vend më të drejtë dhe më demokratik.

Delegacioni i Bashkimit Europian në Tiranë, së bashku me Përfaqësuesen e Lartë për Politikën e Jashtme, Federica Mogherini dhe Komisionerin për Zgjerimin Johannes Hahn, në një deklaratë të përbashkët thane se “ndryshimet kushtetuese përbëjnë dispozitat për një reformë të thellë dhe tërësore në gjyqësor”. /TvArt&Agjencitë/

 

 

Klan Macedonia

The author Klan Macedonia