close
Rajoni

TIRANË: PËRKUNDËR NDRYSHIMEVE, REFORMA NË DREJTËSI NGEC

2016-08-11_163309

Sot hyjnë në fuqi ndryshimet kushtetuese të miratuara unanimisht në orët e para të 22 korrikut në kuvendin e Shqipërisë. Pas dekretimit nga kreu i shtetit shqiptar 47 nenet e ndryshuara të Kushtetutës, së bashku me anekset, tashmë janë botuar në Fletoren Zyrtare. Por edhe pas gjithë kësaj, reforma është ende e paplotësuar dhe e pazbatueshme, për sa kohë 7 ligjet organike që e shoqërojnë atë dhe e bëjnë funksionale, ende nuk janë miratuar.

Mbi këtë ngërç Oerd Bylykbashi i PD, Ulsi Manja i PS dhe Spartak Braho e Luan Rama të LSI-së japin argumentet e tyre.

Përtej konsensusit politik, e kemi thënë që në fillim të procesit që drafti i njëanshëm Kushtetues kishte probleme të rënda në lidhje me sistemin e institucioneve. Shembull për këtë ishte KED i cili ishte guri i themelit të arkitekturës së kapjes politike. Ne arritëm ta zhbëjmë këtë aspekt, por me insistimin e PS, KED mbeti në Kushtetutë si një apendisit që më shumë krijon probleme në zbatimin e Kushtetutës. Dhe ja, ekspertët e qeverisë kanë hartuar draftin në mënyrë të tillë që nuk mund të zbatohet edhe pse Presidenti po mbledh ekspertë e parti politike që të gjejë një rrugëdalje nga qorrsokaku kushtetues. Kjo është reforma kushtetuese kur Kryeministri dhe deputetët e tij deklarojnë se e votojnë pa e lexuar. Dhe ky është vetëm fillimi i problemeve“, u shpreh Bylykbashi.

“Është e vërtetë që janë të pazbatueshme këto dispozita Kushtetuese, sa kohë nuk janë miratuar ligjet e posaçme”, thotë Spartak Braho.

“Zbatimi i një norme kushtetuese duke shkelur një normë tjetër kushtetuese nuk është rruga e duhur. Ne e kemi thënë që në fillim që Kushtetuta që miratuam për tu jetësuar ka nevojë për miratimin e një pakete ligjore me 7 ligje. Nuk mund të fajësohet teksti kushtetues se pse parlamenti dhe politika nuk e kanë përfunduar detyrën deri në fund në rastin e reformës në drejtësi. Presidenti sa harxhon kohe me konsultime është mirë ta harxhojë kohën me faktorin politik parlamentar për ta nxitur parlamentin të miratojë paketën ligjore që kërkohet me qëllim zbatimin sa më parë të Kushtetutës. Kohë për të bërë gjënë e duhur kur ka vullnet politik ka në çdo kohë e në çdo moment. Dhe kjo është detyrë e përbashkët e opozitës dhe shumicës. Dhe ne si shumicë jemi gati dhe gatishmërinë tonë për Reformën në Drejtësi e kemi shprehur në mënyrë konsistente gjatë gjithë kohës“, thotë socialisti, Ulsi Manja.

“Nuk ndaj të njëjtin mendim, sipas të cilit ndryshimet kushtetuese hyjnë në fuqi, por janë të pazbatueshme. Hyrja në fuqi e ndryshimeve kushtetuese shenon edhe fillimin real te jetesimit te reformes ne drejtesi, qe do te vijoje me miratimin e ligjeve dhe ngritjen e institucioneve te reja te drejtesise”, tha Sekretari i Përgjithshëm i LSI, Luan Rama.

Kushtetuta e re e Shqipërisë sapo ka nxjerrë ngërçet e para. Ajo e detyron Presidentin që brenda 5 ditëve nga hyrja në fuqi e ndryshimeve, të nisë procedurën për zgjedhjen e 9 anëtarëve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.

Por aktualisht, mungon ligji për kriteret e ngritjen dhe funksionimin e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.

Veç miratimit të nismave ligjore, një çështje tjetër që duhet të marrë zgjidhje është miratimi i faturës financiare të drejtësisë së re.

Debati në komisionin e posaçëm të drejtuar nga Fatmir Xhafaj ka ngelur tek drafti i vettingut, i cili sëbashku me ligjet për Byronë Kombëtare të Hetimit dhe institucionet e reja duhet të kalojnë në seancën e jashtëzakonshme plenare që do të mblidhet gjatë gushtit. /TvArt& Agjencitë/

Klan Macedonia

The author Klan Macedonia