close
Rajoni

TIRANË: SHUMICA E QYTETARËVE ME MASKA NË RRUGË

26149FD0-F10D-4A44-85ED-1507C854022F

GJOBA PËR ATA QË NUK RESPEKTUAN AKTIN NORMATIV


Në Shqipëri nisi sot mbajtja e detyruar e maskave në mjedise publike nga të gjithë qytetarët, në pritje të nja vale të re pandemisë së COVID-19 gjatë vjeshtës dhe dimrit. Qeveria tha se kjo është një masë e domosdoshme për të mbrojtur jetën e qytetarëve.

Kjo e enjte është dita e parë kur maska është e detyrueshme të mbahet në çdo mjedis publik për çdo person mbi 11 vjeç.

Shumica e kryeqytetasve i janë bindur këtij rregulli dhe thuajse në çdo rrugë lëvizjet e tyre janë me maska. Rastet pa maska ishin sporadike, dhe kryesisht të moshave të reja.

 Por bazuar në Aktin Normativ, në të tilla raste është Policia e Shtetit apo ajo bashkiake që ka vepruar duke i ndëshkuar me gjobë. Por jo të gjithë personat pa maskë janë gjobitur.

 Siç duket edhe në pamje, teksa polici gjobit të riun, të tjerë qytetarë kalojnë pranë tij pa maska.

Përveç gjobës, ata tentojnë t’i shpëtojnë dhe kamerës.

Ka nga ata që maskën e mbajnë në xhep dhe kjo i ka shpëtuar nga gjoba.

Heqja e maskës, sipas Aktit Normativ, bëhet në rastet kur kërkohet për identifikim, por disa qytetarë e kanë hequr atë kur kanë konsumuar ushqim në rrugë apo cigare.

Krahas gjobave për ata që nuk kishin një maskë, policia bashkiake dhe ajo e shtetit kanë këshilluar dhjetra të tjerë që maskat nuk i mbanin siç duhet. Burime zyrtare në Policinë e Shtetit thanë se deri në mesditë gjobat kishin qenë minimale dhe se fokusi në ditët e para do të jetë këshillimi./TV KLAN/

Klan Macedonia

The author Klan Macedonia