close
Rajoni

TIRANË: ‘SPIUNOHEN’ EDHE POLICËT?!

no thumb

Kryeministri shqiptar Edi Rama, ka promovuar sot projektin e emërtuar ”spiunë dixhitalë për çdo polic në terren’ që synon uljen e vrasjeve e të grabitjeve, por edhe të korrupsionit. Bëhet e ditur se deri tani 14 mijë qytetarë shqiptarë kanë denoncuar shkeljet e punonjësve të Policisë, pranë komisariatit dixhital të ngritur pak muaj më parë nga Ministria e Brendshme, ndërkohë që 45 mijë shkarkime janë bërë pas denoncimit të shkeljeve të ndryshme në administratë.

Rezultatet e kësaj nisme janë prezantuar sot në Tiranë nga kryeministri Edi Rama dhe ministri i Brendshëm Sajmir Tahiri. Në fjalën e tij  kryeministri Rama pohoi se Policia e Shtetit po jep frytet e saj të punës për të luftuar krimin.

Sipas tij, futja e këtij aplikacioni, me anë të të cilit të gjithë qytetarët mund të denoncojnë raste te shkeljeve është një histori suksesi. Kreu i ekzekutivit bëri me dije se nga kjo performancë Shqipëria ka ndryshuar pozicion në sytë e ndërkombëtarëve, ku nga një vend i lëndëve narkotike, është kthyer në një vend të sigurt.

Rama tha se do të nisë së shpejti monitorimi i efektivëve në çdo sekondë, pasi do të jenë të lidhur me kamera me sallën operative.

 ” Është fakt që Shqipëria ka ndryshuar pozicion edhe në sytë e partnerëve ndërkombëtarë, nga një vend ku bashkëjetohej me drogën edhe me trafikun e drogës si në një normalitet të pa atakushëm, në një vend ku luftohet përditë, çdo ditë ka rezultate. Gjithë efektivët e Policisë së Tiranës që do të jenë në terren, nuk do të jenë më të shkëputur në asnjë sekondë nga salla operative, por do të jenë të lidhur përmes kamerave që do të kenë në trup, dhe i gjithë aktiviteti i çdo efektivi policie në terren, do të jetë i monitorueshëm sekondë për sekondë. Ky është një projekt shumë ambicioz, është një projekt i kushtueshëm, por që ne jemi të vendosur ta realizojmë dhe që do të fillojë besoj në vjeshtë me Tiranën,” – tha kryeministri Rama.

Ndërsa, ministri i Punëve të Brendshme, Saimiri Tahiri pohoi se të gjithë duhet të punojnë për një Shqipëri më të sigurt. Teksa u ndal tek komisariati dixhital, Tahiri tha se me këtë u analizua dhe sjellja e policisë; ku pati 14 mijë denoncime nga qytetarët dhe si pasojë e kësaj erdhën 45 mijë largime nga puna.

 ” Me “Komisariatin Dixhital” ne kemi dhënë mundësinë njeriut që të bëjë një sërë denoncimesh për çështje konkrete të ditës, mund të denoncosh një parking të paligjshëm, mund të denoncosh një ndërtim pa leje, mund të denoncosh një vjedhje, mund të denoncosh një fenomen dhune, mund të denoncosh çdo lloj gjëje që të shqetëson duke pritur që policia të veprojë, por mbi të gjitha mund të denoncosh edhe vetë policinë, mund të denoncosh punonjësin e policisë që nuk vepron dhe këtë vetëm duke përdorur telefonin tënd me një klik, mund të aktivizosh një sistem të tërë, që është Policia e Shtetit. Komisariati Dixhital ka ndërtuar besim te qytetarët, është kjo arsyeja, pse sot janë mbi 45 mijë shkarkime, 14 mijë denoncime,” tha ministri Tahiri duke folur për “Komisariatin Dixhital”.

Projekti i ri teknologjik që do të zbatohet nga Policia shqiptare, do të shtrihet fillimisht në Tiranë, dhe më pas në qytetet e tjera. Autoritetet shqiptare saktësojnë se çdo polic do pajiset me kamerë trupi, dhe arsyeja e gjithë kësaj është, sikundër thuhet,  shmangia e çdo forme korrupsioni në radhët e Policisë. /TvArt – KOSOVAPRESS/

 

Klan Macedonia

The author Klan Macedonia