close
Rajoni

TIRANË: TË ZBARDHET FATI I REMZI HOXHËS!  

no thumb

Pas protestave në Shkup dhe në Prishtinë, familjarë dhe miq të Remzi Hoxhës janë mbledhur sot në Tiranë për të protestuar për gjetjen e eshtrave të të afërmit të tyre. Kanë kaluar 20 vjet që nga zhdukja e tij misterioze, por familja nuk ka reshtur kurrë së kërkuari për fatin e tij.

Ardian Hoxha, djali i Remziut tha sot në Tiranë se kjo protestë vjen si një lloj apeli dhe mesazhi, jo vetëm për gjetjen e eshtrave të babait të tij, por edhe për vetë sistemin e drejtësisë në tërësi.

Edhe vëllai i Remzi Hoxhës, Ethemi, i kërkon drejtësisë shqiptare të zbardhë dosjen e Remziut. Ai thotë se provat dhe faktet janë, porse mungon vullneti i qeverisë.

“Ka humbur kombi, se Remzi Hoxha dhe Adem Jashar nuk bën më nëna:”Kam një porosi të veçantë, që ata njerëz të cilët kanë pasur në mbikëqyrje, dhe që e kanë torturuar Remziun, kudo që janë; ne jemi të gatshëm të ballafaqohemi me ta, dhe të na ndihmojnë t’i gjejmë ato eshtra edhe ta mbyllim këtë derë vuajtjeje për të gjithë ne. Besoj se ka mjaft fakte e argumente që këtij pushteti dhe populli, 20 vjet vuajtjet tona dhe peripecitë të vijë një ditë dhe të mbyllet kjo dosje. Ne jemi 6 vëllezër, dhe është sikur një njeri që i ka 6 gishta të dorës dhe e ka humb një gisht dhe ato 5 funksionojnë, por populli shqiptar,  kombi shqiptar ka humbur diçka më tepër; sepse  njeri si Remzi Hoxha apo Adem Jashar nuk bën më nëna,” – tha vëllai i Remziut, Ethemi.

Ndërkohë kësaj proteste i është bashkuar edhe Ziso Kristopulli i cili është akuzuar si bashkëpunëtor për grusht shteti me Remzi Hoxhën, por që ai thotë se nuk ka asnjë lidhje me këtë çështje dhe as e ka njohur kurrë Remziun dhe se gjithë kjo histori e ka rrënuar ekonomikisht dhe psikologjikisht.

“Nëse do qeveria shqiptare, e zbardh çështjen. I bëj thirrje Edi Ramës që ta zbardhë këtë masakër.I bëj thirrje Edi Ramës nëse do drejtësi ta bëjë si për Remzi Hoxhën që t’i gjenden eshtrat dhe për mua që më shkatërruan tërë ekonominë dhe familjen. Uroj edhe një herë që Edi Rama, Sajmir Tahiri, edhe Porkurori, që ta zbardhin këtë masakër që është bërë ndaj Remzi Hoxhës”, – tha Ziso Kristopulli.

Protesta të ngjashme ku po mblidhen firma nga qytetarët për gjetjen e eshtrave të Remzi Hoxhës janë mbajtur këto ditë edhe në Prishtinë dhe në Shkup, nisur nga origjina e biznesmenit Hoxha, i cili u zhduk 20 vite më parë. Gjyqe e protesta të shumta janë zhvilluar në vijimësi për të, por deri tani asgjë nuk ka dalë në dritë./E.Duraj/

Klan Macedonia

The author Klan Macedonia