close
Ekonomi

TIRANË: TETË RRUGË KOMBËTARE DO TË JENË ME PAGESË

rruga-kombit

Qeveria shqiptare ka parashikuar 8 rrugë kombëtare për t’i kthyer me pagesë. Strategjia e taksimit të rrugëve të hartuar nga BERZH-i rekomandon se tarifa që duhet të paguajnë qytetarët varion nga 0,5 euro cent në 3,5 euro cent për kilometër.

Në strategji rekomandohet që aplikimi i taksimit për koncesionin e rrugëve të zhvillohet gradualisht, në 3 faza. Për zbatimin e menjëhershëm, rekomandohet vendosja e taksës në rrugën Tiranë-Durrës, Tiranë- Elbasan dhe Rruga e Arbrit, e cila ende nuk ka përfunduar, shkruan Panorama.

Tarifa për të gjithë drejtuesit e automjeteve që do të kalojnë Rrugën e Kombit do të jetë 5 euro. Ministria e Transporteve sqaroi dje se tarifa që do të aplikohet për veturat është 4,16 euro pa përfshirë TVSH-në.

Në fazën e dytë propozohet tarifimi për rrugën Levan-Vlorë dhe Durrës-Fier. Për zbatim në fazën e tretë rekomandohet taksimi për rrugën Elbasan- Kapshticë dhe Tiranë –Hani i Hotit. Për këto dy rrugë, strategjia e BERZH-it nuk rekomandon dhënien me koncesion të gjithë aksit, por vetëm një pjesë të tyre. Për rrugën Elbasan- Kapshticë rekomandohet dhënia me koncesionin vetëm për 41,6 kilometër. Për rrugën Tiranë –Hani i Hotit rekomandohet dhënia me koncesion për 45 kilometër. /Agjencitë/

Klan Macedonia

The author Klan Macedonia