close
samiti Ohri

Samiti bojkotohet nga Presidenti i Kosovës


Në Ohër po mbahet takimi i liderëve të tre vendeve ballkanike – Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë dhe Serbisë, që mëton përmirësimin e bashkëpunimit rajonal me qëllim të arritjes së objektivit kryesor: integrimit të plotë në Bashkimin Evropian. Mbrëmë, kryeministri Zoran Zaev, homologu i tij nga Tirana, Edi Rama, dhe presidenti serb Aleksandar Vuçiq harmonizuan deklartën me listën e epërsive të kësaj nisme që synon të lehtësojë qarkullimin e mallrave e të njerëzve, heqjen e barrierave tregtare e kufitare dhe të mundësojë më shumë investime, avancimin e cilësisë së jetesës dhe përgjithësisht një zhvillim më të shpejtuar të rajonit.

Kryeministri Zoan Zaev në një postim në FB ka shkruar se ‘…nga Ohri të gjithë të pranishmit dërgojmë mesazhin e qartë se përmes bashkërendimit dhe veprimit të përbashkët po praktikojmë sjellje evropiane – në shtëpi, duke forcuar vlerat evropiane e ndërtojmë Ballkanin për shekullin XXI. Rajonin e stabilitetit dhe të prosperitetit,’- shkruan kryeministri Zaev.

Në këtë takim asistojnë edhe përfaqësues të Bosnjë-Hercegovinës dhe Malit të Zi, kryetari i Këshillit të Ministrave në Sarajevë, Denis Zvizdiq dhe ministrja e Ekonomisë në qeverinë malazeze, Dragica Sekuliq.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, edhepse i ftuar në këtë takim, ka refuzuar pjesëmarrjen. Në një postim të tij në FB, ai shkruan se arsye për këtë ka qenë, sikurse thotë, anashkalimi i qëllimshëm i Kosovës nga Serbia në Samitin e Parë të kësaj iniciative të re rajonale. Së dyti, vizioni i vetëm i Kosovës mbetet anëtarësimi në BE dhe NATO. Prandaj, ne nuk duam që në asnjë rrethanë ta zëvendësojmë perspektivën tonë euroatlantike me çfarëdo iniciative rajonale.

Dhe, së treti, vlerëson presidenti i Kosovës, kjo iniciativë rajonale është e pakuptimtë për aq kohë sa Serbia dhe Bosnja-Hercegovina nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.

Pavarësisht kësaj, në Ohër treshes ballkanike i janë bashkuar edhe përfaqësues të Bashkimit Evropian, Këshillit për Bashkëpunim Rajonal, të Bankës Botërore, asaj për Rindërtim dhe Zhvillim si dhe të Bankës Evropiane për Investime.

‘Mini-Shengeni’ ballkananik është cilësuar si nismë që premton nga përfaqësuesi i posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer. Sipas tij ajo është e hapur edhe për Malin e Zi, Kosovën dhe Bosnjë-Hercegovinë dhe është një demonstrim se si liderët marrin përgjegjësinë për fatin e tyre. /Klan Macedonia/

Klan Macedonia

The author Klan Macedonia