close
Top LajmeVendi

TSIPRAS: BRENDA JANARIT MIRATIMI I MARRËVESHJES SË PRESPËS

cipras

Marrëveshja e Prespës arritja më e madhe e mandatit të tij


Kryeministri grek, Aleksis Tsipras, ka thënë gjatë një interviste televizive, se ai do të nisë procedurën për miratimin e Marrëveshjes së Prespës nga parlamenti grek, sapo të përfundojnë procedurat në parlamentin e Shkupit.

“Synoj që sapo të votohet në parlamentin e Shkupit dhe ministria e Jashtme greke të njoftohet me notë verbale mbi përfundimin, menjëherë do t’ia kaloj rezultatin presidentit të republikës, kryetarit të parlamentit dhe partive politike, që të verifikojnë. Nëse ndryshimet kushtetuese respektojnë kuadrin e Marrëveshjes së Prespës. Pastaj do të merrem vesh me kryetarin e parlamentit që të fillojnë procedurat”, tha Tsipras gjatë intervistës për televizionin Open, në Athinë.

Tsipras shtoi se nota verbale nga Shkupi do të mbërrijë jo më vonë se fundi i javës së ardhshme.

Rrjedhimisht, kryeministri grek, parashikoi se Marrëveshja e Prespës do të kalojë për votim në parlamentin vendas brenda janarit.

Ndërkaq, Kryeministri grek ka paralajmëruar se një shpërbërje e mundshme e Maqedonisë, mbart rrezikun e krijimit të Shqipërisë së Madhe.

Tsipras e përdori këtë hamendje duke argumentuar se Marrëveshja e Prespës i shërben interesave të Greqisë.

“Greqia nuk ka asnjë interes nga një destabilizim në kufijtë e saj veriorë. Nuk ka asnjë interes të ketë një front të hapur në një vend që do të mund të ishte një hapësirë jetike për ekonominë tonë dhe bizneset tona. Nuk ka asnjë interes nga shpërbërja e atij vendi dhe mundësia e një “Shqipërie të Madhe” në kufijtë tanë. Dhe sigurisht, nuk ka asnjë interes të shpenzojë kapitale diplomatike në një periudhë kur kemi një komshi nevrik (Turqia), i cili përbën kërcënim për Greqinë, ndërsa ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë nuk përbën kërcënim”, tha Tsipras.

Gjatë intervistës për televizionin Open, Tsipras u shpreh se e konsideron marrëveshjen e Prespës si arritjen më të madhe të mandatit të tij, pas daljes së Greqisë nga programet e shpëtimit. /Robert Goro, Athinë/

 

Klan Macedonia

The author Klan Macedonia