close
Bota

TURQI: LIQENI QË U THA BRENDA NJË VITI

turkeys-lake-tuz-dries

TUZ – DIKUR ISHTE LIQENI I DYTË NË KËTË VEND

Xhirime të reja satelitore nga Agjencia Evropiane e Gjithësisë flasin se liqeni i Tuzit dikur i dyti për nga madhësia në Turqi, është tharë brenda vetëm një viti. Agjencitë e lajmeve thonë se ka mbetur – vetëm kripa. Ringjallja e tij kërkon kujdes të shtuar, në të kundërtën – mund të fashitet krejtësisht nga faqja e dheut.

Liqeni Tuz ka qenë dikur një ndër liqenet më të mëdha të njelmëta në botë, herë i fryrë e herë i shfryrë, varësisht nga stinët. Mirëpo, tkurrja u bë mbizotëruese këto kohët e fundit, aq sa sot është tharë plotësisht duke lënë pas hapësirën e pafund dhe kripën – pa ujë. Sipas fotografive të analizuara nga programi ‘Copernicus’ i Bashkimit Evropian rezulton se gjendja e këtij liqeni është tmerrësisht brengosëse. Tuzi si dhe liqenet e tjera të njelmëta krijohen kur fundi i tyre thith prurjet e ujit që vjen nga përrenjtë dhe lumenjtë duke bartur me vete kripë dhe minerale të tjera. Tuzi ka mbijetuar kryesisht nga reshjet e shiut dhe shkrirja e dëborës gjatë çdo pranvere. Agjencitë rikujtojnë se fjala është për një liqen të cekët me thellësi një metër, ndërsa aktualisht uji avullohet si kurrë më parë duke lënë pas një shtresë kripe 8 centimetra të trashë. Raportohet se kjo sasi kripe ka bërë që të zhvillohet industria lokale në këtë zonë për shkak se nga liqeni nxirren rreth 25 milion tonë kripë rezervë. Tuzi është një ndër liqenet më të njelmëta në botë. Kripa e tij eksportohet në 60 vende, mirëpo, sikurse po shihet, si dhe të gjitha burimet, edhe ky nuk është i pashtershëm. Arsye për tharrjen e tij sivjet përmenden ndryshimet klimatike dhe thatësirat, por edhe presioni në rritje nga kulturat bujqësore dhe industria. Ekspertët thonë se nëse nuk rritet përkujdesja për mbrojtjen e liqenit, ai mund të zhduket tërësisht brenda 30 vjetësh./Klan Macedonia/

Klan Macedonia

The author Klan Macedonia