close
Bota

Turqia transferon në Arabinë Saudite gjykimin për vrasjen e Khashoggit

khashoggi_0

Një gjykatë turke ndërpreu gjykimin ndaj sauditëve të dyshuar për vrasjen e gazetarit Jamal Khashoggi, dhe tha se do të transferojë këtë gjykim në Arabinë Saudite. Ky veprim u kundërshtua nga grupet e të drejtave të njeriut.

Ky vendim ishte i pritshëm pasi prokuroria javën e kaluar bëri thirrje që gjykimi në mungesë ndaj 26 të dyshuarve sauditë të transferohej nga Stambolli në Riad. Ministria e Drejtësisë më pas e mbështeti këtë vendim.

Gazetari Khashoggi ishte vrarë në Konsullatën saudite në Stamboll katër vjet më parë. Vrasja e tij nxiti reagim ndërkombëtar dhe rriti presionin ndaj udhëheqësit de-fakto të Arabisë Saudite, Princit të Kurorës, Mohammed bin Salman.

Zyrtarët në Turqi kanë thënë se besojnë se Khashoggi, një kritik i zëshëm i Princit të Kurorës, u vra dhe trupi i tij u gjymtua në një operacion, që sipas presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan, ishte urdhëruar nga “nivelet më të larta” të Qeverisë saudite.

Vendimi i fundit i gjykatës turke shënon një kthesë në gjykimin që ka nisur më 2020.

“Marrja e vendimit për të ndërprerë gjykimin është kundër ligjit sepse vendimi për lirimin e të pandehurve në Arabinë Saudite ka përfunduar”, tha Gokmen Baspinar, avokat që prezanton Hatice Cengiz, të fejuarën e gazetarit të vrarë.

“Fakti që gjykimi po transferohet në një shtet ku nuk ka drejtësi është shembull i papërgjegjësisë ndaj popullit turk”, shtoi ai.

Qeveria saudite ende nuk ka reaguar ndaj këtij vendimi të autoriteteve në Turqi.

Një raport i inteligjencës amerikane, i publikuar një vit më parë, tha se Princi Mohammed kishte miratuar operacionin për vrasjen apo kapjen e Khashoggit, por Qeveria saudite ka mohuar çdo përfshirje dhe Princi i Kurorës ka hedhur poshtë këto gjetje.

Vrasja e gazetarit kishte përkeqësuar raportet midis Turqisë dhe Arabisë Saudite, duke bërë që sauditët të bojkotonin prodhimet turke, teksa eksportet e Ankarasë në Riad u shkurtuan për 90 për qind.

Për shkak të dëshirës për të rritur investimet dhe për t’i dhënë shtysë ekonomisë, Ankaraja që prej vitit të kaluar është angazhuar të përmirësojë raportet me Riadin.

Erdogani tha muajin e kaluar se Turqia po vazhdonte “dialogun pozitiv” me Arabinë Saudite dhe tha se dëshiron të ndërmarrë hapa konkretë për përmirësimin e raporteve. Kryediplomatët e të dyja shteteve u takuan dy javë më parë dhe u pajtuan që të përmirësojnë raportet, tha Ankaraja.

Para vendimit të gjykatës, organizata Human Rights Watch kishte paralajmëruar kundër transferimit të gjykimit në Riad, duke argumentuar se një gjë e tillë do të bllokonte drejtësinë.

Do “t’i jepte fund çdo mundësie për drejtësi për Khashoggin dhe do forconte besimin e autoriteteve saudite se ata mund t’i shmangen përgjegjësive, përfshirë edhe për vrasje”, tha Michael Page, zëvendësdrejtor për Lindjen e Mesme në Human Rights Watch./REL

Klan Macedonia

The author Klan Macedonia