Presidenti Barack Obama tha se raporti më i fundit për gjendjen e punësimit në Shtetet e Bashkuara është “i mirë”, por mbetet ende shumë punë për t’u bërë për rritjen e pagave dhe të të ardhurave për njerëzit e thjeshtë.
Presidenti i bëri këto komente para studentëve të Universitetit të Uiskonsinit në La Crosse.
Raporti që publikoi dje Departamenti i Punës tregoi se Shtetet e Bashkuara shënuan një rritje neto prej 223 mijë vendesh pune gjatë qershorit dhe se ritmi i papunësisë ra me 0,2 për qind, në nivelin 5,3 për qind.
Zëri i Amerikës thotë se ky është ritmi më i ulët i papunësisë që nga viti 2008.