close
Rajoni

USAID dhe UNICEF i dhurojnë Kosovës pajisje për ruajtjen e vaksinave

03190000-0aff-0242-66a0-08da34cae3aa_w1023_r1_s

Agjencia amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar – USAID dhe Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Fëmijë – UNICEF, i dhuruan Kosovës të premten disa pajisje për ruajtjen e duhur dhe transportin e sigurt të vaksinave kundër COVID-19.

Sipas një njoftimi nga zyra e USAID-it, dhurimi i këtyre pajisjeve shënon fazën e parë të zëvendësimit të zinxhirit të gjithëmbarshëm të ftohtë të vaksinave në Kosovë. “Kjo përpjekje e mbështetur nga ana e USAID-it do të rrisë kapacitetet e ruajtjes së vaksinave në të gjitha nivelet, nga magazina qendrore e vaksinave pranë Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik deri te qendrat e mjekësisë familjare në të gjitha 38 komunat në Kosovë”, thuhet në njoftim.

Drejtoresha e misionit të USAID-it, Zeinah Salahi, tha gjatë dorëzimit të këtij donacioni në Prishtinë se pajisjet në fakt nuk do të ndihmojnë vetëm programin e vaksinimit kundër COVID-19ës.

“Por cilindo nga programet e imunizimit në Kosovë që ka nevojë për magazinim të ftohtë të vaksinave, posaçërisht imunizimet rutinore të fëmijëve, një shërbim thelbësor ky i shëndetit publik”, tha zonja Salahi.

Nga ky donacion institucionet shëndetësore në Kosovë përveç pesë dhomave të reja të ftohjes dhe 270 frigoriferëve e ngrirësve, përftojnë edhe trajnime në përdorimin dhe mirëmbajtjen e pajisjeve të zinxhirit të ftohtë dhe zhvillimin e një sistemi të digjitalizuar për monitorim dhe menaxhim më të mirë të rezervave të vaksinave.

Në Kosovë prej kur ka filluar vaksinimi kundër COVID-19ës e deri tash janë dhënë një milion e 827 mijë e 497 doza të vaksinës. Tash për tash numri i përgjithshëm i rasteve aktive me COVID-19 është 352, ndërsa gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar 22 raste të reja./VOA

Klan Macedonia

The author Klan Macedonia