close
RajoniTë ndryshme

VARHELYI NUK I KËSHILLON KOSOVËS VETTING SI NË SHQIPËRI

KOMISIONI EUROPIAN

Procesi i rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Shqipëri, i ashtuquajtur Vetting, ka nxjerrë në pah kompleksitetin e rindërtimit të një arkitekture gjyqësore “nga rrënjët”. Edhe pse në parim procesi i Vetting në Shqipëri synon dhënien fund korrupsionit në drejtësi, konkretisht ai aktualisht po zvarrit dhënien e drejtësisë për qytetarët shqiptarë. Pesë vjet pas fillimit të tij, ky proces reflekton probleme të mprehta me ngecjen e një numri të madh të çështjeve të pazgjidhura, drejtësi jo cilësore në marrjen e vendimeve dhe sfidën e zëvendësimit të magjistratëve të larguar me magjistratë të rinj. Për shkak të status-quo që ka krijuar, Vettingu në Shqipëri tashmë publikisht nuk këshillohet si model i krijimit të një gjyqësori në lartësinë e duhur në vendet e tjera të rajonit të Ballkanit Perëndimor. Muajt e fundit, zyrtarë të Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës kanë shprehur gatishmërinë që të angazhohen për një proces Vettingu si në Shqipëri, por Komisioni Europian nuk jua këshillon një gjë të tillë. Kjo doli në pah edhe nga deklarata e komisionerit për politikën e fqinjësisë dhe zgjerimit, Oliver Varhelyi në konferencën për shtyp në  vijim të Këshillit të katërt të stabilizim-asocimit BE-Kosovë.

Oliver Varhelyi, komisioner për zgjerimin

“Ne e kemi bërë të qartë, që jemi në favor të një sistemi drejtësie të pavaruar që u ofron drejtësi qytetarëve. Ne kemi investuar fort politikisht dhe financiarisht për të krijuar një sistem drejtësie që është në lartësinë e vlerave që përfaqësojnë Bashkimin Europian. Ne vazhdojmë ta bëjmë këtë. Ne po angazhohemi tani me Qeverinë e Kosovës për të parë se si  procesi i quajtur Vetting mund të kontribuojë për arritjen e këtij qëllimi. Ne nuk mendojmë, se është nevoja për të plotësuar të gjithë sistemin e drejtësisë. Nëse marrim shembullin e Vetting në Shqipëri, nuk mendoj, se nevojitet një operacion kaq i madhë në Kosovë, pasi  themelet, baza e sistemit në Kosovë janë në nivelin e standarteve tona. Por ne jemi të gatshëm të ulemi e bisedojmë, se ku mund dhe duhet të bëhen përmirësime”.

Komisioni Europian aktualisht është shprehur pro zgjatjes së afateve për organet e Vettingut në Shqipëri. Ky institucion konsideron, se konsolidimi i reformës në drejtësi është një nga elementët kyç transformues për rrugëtimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në integrimin europian, që ka si objektiv përfundimtar anëtarësimin e këtyre vendeve në Bashkimin Europian./KlanMacedonia/

Klan Macedonia

The author Klan Macedonia