close
Top LajmeVendi

VAZHDON VAKSINIMI I FËMIJËVE KUNDËR FRUTHIT

Vaksina-Diteper-780×439

Në të gjithë vendin, vazhdon vaksinimi i fëmijëve, edhe pse ka pasur raste një numër i vogël i fëmijëve të pavaksinuar janë paraqitur për regjistrim nëpër shkolla.

Pas sjelljes së vendimit për vaksinimin e detyrueshëm kundër fruthit tek fëmijët e veçanërisht tek ato nëpër kopshte dhe shkolla, nga terreni duket se edhe pse ka neglizhenca, kjo masë po zbatohet. Në shkollën ‘Migjeni’ në Tetovë, janë hasur 3 raste kur prindërit janë paraqitur për t’i regjistruar fëmijët e tyre të pavaksinuar. Sipas drejtorit të shkollës Riza Etemi, këto 3 fëmijë janë pranuar me kusht që deri në shtator të vaksinohen.

‘Qeveria solli vendim tjetër me të cilin konfirmon që nxënësit duhet të pranohen pa marrë parasysh a i kanë marrë vaksinat deri në fillim të vitit shkollor t’i marrin vaksinat që nuk i kanë marrë. Kemi pasur tre raste të tilla ku prindërit para se të dalë vendimi i qeverisë insistonin që t’i pranojmë nxënësit. Ne i kemi kthyer, por me daljen e vendimit të qeverisë i kemi pranuar edhe ato nxënës.’ –tha Riza Etemi – Drejtor në Shkollën ‘Migjeni’.

Etemi thekson se mosvaksinimi i deritanishëm ka ardhur si pasojë e propagandës negative që është bërë kundër vaksinave, por edhe si pasojë e neglizhencës së disa prindërve.

‘Vitin e kaluar nuk kemi pasur nxënës të cilët nuk kanë qenë të vaksinuar, ndoshta neglizhenca e prindërve … Ndoshta dhe propaganda se këto vaksina janë të rrezikshme, paraqesin sëmundje të ndryshme, edhe prindërit ndoshta kanë frikë.’ -shprehet Riza Etemi – Drejtor në Shkollën ‘Migjeni’.

Sipas Ligjit për arsim fillor, për regjistrim në shkollë, prindërit krahas dokumenteve të tjera duhet të posedojnë edhe Vërtetim për vaksinat e pranuara të obligueshme. Nga Ministria e Shëndetësisë theksojnë se vërtetimet e këtilla jepen vetëm në pikat e vaksinimit. Nga fillimi i vitit në vend janë vaksinuar mbi 21.000 fëmijë deri në moshën 14 vjeçare. /Blerona Jakupi/

 

Klan Macedonia

The author Klan Macedonia