close
Rajoni

VESELI: TË PEZULLOHET TAKSA PËR 120 DITË

kadri veseli

Haradinaj me kushte për pezullimin e taksës!


Kosovës nuk i duhet kursi i konfrontimit me SHBA-në e as me BE-në. Përkundrazi! Gjuha e kushtëzimeve ndaj partnerëve tonë kryesorë strategjikë, si SHBA dhe BE, nuk do ta ndihmojë Kosovën as në mbrojtje të sovranitetit dhe integritetit territorial, e as në rrugën e saj drejt integrimeve euroatlantike ka shkruar në Facebook, Kryeparlamentari Kadri Veseli, pas takimit me Filip Kosnet, ambassador I SHBA-ve në Kosovë.

Ai e ndërlidhi shkrimin e tij me çështjen e taksës doganore prej 100% që u ka vënë Kosova prodhimeve të importuara nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina.

“Qëndrimi im është që taksa duhet të mbetet si vendim i drejtë i Republikës së Kosovës, por pezullimi i përkohshëm, me kohëzgjatje prej vetëm 120 ditësh, duhet të ndodhë si masë mirëbesimi ndaj SHBA-së dhe BE-së”, shkroi Veseli.

Përmes rrjetit social Facebok, ka reaguar gjatë ditës së djeshme edhe Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj. Ai ka kërkuar nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian inicimin dhe mbështetjen e një konference ndërkombëtare, me qëllim të arritjes së një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht të detyrueshme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Ai ka kërkuar që SHBA dhe BE të japin zotime publike dhe të garantojnë që në konferencë, mes tjerash, nuk do të ketë “çfarëdo rivendosjeje të kufijve ekzistues të Kosovës, ose ndarje të Kosovës, ose shkëmbime territoriale të çfarëdo natyre”, si një nga pesë kërkesat që ai I ka rënditur në dokumentin, të cilin, siç tha, ua ka dërguar ambasadorëve të vendeve të Quint-it, përkatësisht Shteteve të Bashkuara, Francës, Gjermanisë, Italisë dhe Mbretërisë së Bashkuar, si dhe përfaqësuesve të BE-së në Kosovë.

Klan Macedonia

The author Klan Macedonia