close
Kulture

(VIDEO) SHKUP: PËRKUJTOHET TEKI DERVISHI

Skena e gazetarisë shqiptare shënoi 8 vjetorin e ndarjes nga jeta të gazetarit me zë të fuqishëm, Teki Dervishi. Letërsia shqiptare, përkujton përvjetorin e vdekjes së një shkrimtari rebel, me një penë të guximshme.Në kujtim të këtij personaliteti të shquar shqiptar, në Shkup u mbajt një akademi përkujtimore ku personalitet që kanë njohur Dervishin, folën për jetën dhe krijimtarinë që la pas tij.


Kritiku letrar, Ahmet Selmani, duke elaboruar stilin letrar të penës së Dervishi, tha mes tjerash se, e gjithë poezia e tij është një kundërvënie dhe protestë, mospajtim dhe revoltë.

Sipas, gazetarit Emin Azemi, Teki Dervishi jo vetëm që ishte kompleks për nga natyra dhe veçantia e shkrimeve të tij por edhe për faktin se ai në letërsinë tonë bashkëkohore është shkrimtar më produktiv dhe vepra e tij shënon shkollë shkrimi.

Ndërkohë, shkrimtari, Xhabir Ahmeti, duke folur për kujtimet që ndan me Dervishin, tha se më në fund po vjen koha që të flitet zëshëm kundër harresës së këtij krijuesi të veçantë dhe kundër përpjekjeve për t’u harruar vlerat e mëdha letrare që i ka krijuar ai.

Teki Dervishi lindi më 16 Janar 1943 në Gjakovë dhe vdiq me 29 qershor 2011 në Prishtinë. Është shkrimtar dhe publicist shqiptar nga Kosova. Deri në vdekjen e tij ishte drejtor i gazetës ditore “Bota Sot”. Gjatë gjithë jetës së tij u mor me shkrime letrare e publicistike. Është autor i rreth 90 veprave letrare artistike, romane, poezi, drama.

Klan Macedonia

The author Klan Macedonia