close
Top LajmeVendi

(VIDEO)KLAN DEBAT: IVANOVSKA – SHQETËSUESE KEQPËRDORIMET GJATË PUNËSIMEVE

Screenshot_25

PËR NDËRTESAT AFËR “HOLIDAY INN” MPB-ja ENDE NUK KA DORËZUAR DOKUMENTACION NË PROKURORI

Komisioni Shtetëror për Parandalim të Korrupsionit pret rrumbullakësim të lëndëve për të cilat këtë vit ka ngritur kallëzime penale, në mesin e të cilave është rasti për Planin Detal Urbanistik në qendër të Shkupit, ku tashmë kanë filluar të ndërtohen ndërtesat shumëkatëshe. “Ky rast është krim i organizuar”, thotë Kryetarja e KSHPK-së, Biljana Ivanovska, duke shtuar se nga Ministria e Punëve të Brendshme ende nuk është dorëzuar dokumentacioni i plotë në prokurorinë publike kompetente. Ivanovska në emisionin e mbrëmshëm Klan Debat theksoi se më i përhapur është keqpërdorimi gjatë punësimit, në të gjithë sektorët publikë, pas të cilit vinë shkeljet në sistemin gjyqësor dhe në ndërtimtari.

Vetëm tre kallëzime penale, nga gjithsejt 165 të dorëzuara gjatë punës dydekadëshe të Komisionit Antikorrupsion kanë pasur përfundime gjyqësore. Kjo tregon se në qoftë se të gjitha institucionet nuk e bëjnë punën e tyre me efikasitet, korrupsioni, që sipas anketave është “problemi numër një” për qytetarët, do të mbretërojë edhe më tej. Kryetarja e KSHPK-së, Biljana Ivanovska, për Tv Klan Maqedoni thotë se ende nuk kanë marrë përgjigje nga Prokuroria për gjashtë kallëzimet penale të dorëzuara këtë vit, në mesin e të cilave edhe për ish ministrin e kulturës, për të punësuar në Kadastër, për të punësuar në MPB në lidhje me autoshkollën në Dibër dhe të tjera.

BILJANA IVANOVSKA, KSHPK

“Të mos e harrojmë kallëzimin penal kyç për të punësuar dhe ishkryetarë komunash, në lidhje me miratimin e Planit Detal Urbanistik plani C-8 në Komunën Qendër, nga pasojat e të cilit do të vuajmë të gjithë. Për mua kjo është krim i organizuar, sepse Plan Detal Urbanistik i tillë i jashtëligjshëm ka kaluar edhe në komunë, edhe në Qytetin e Shkupit, edhe në Ministrinë e Transportit dhe lidhet me dy kryetarë komunash, që është shumë diskutabile.”

Për këtë rast, i hapur para tyre vitve, sipas Ivanovskës, MPB-ja ende nuk e ka dorëzuar dokumentacionin e nevojshëm në Prokurorinë Publike për krim të organizuar, që ngre dyshime shtesë, duke qenë se bëhet fjalë për çështje me interes publik. Ndërtimtaria është një nga sektorët më të përfshirë në korrupsion, por jo e para, sipas denoncimeve në KSHPK.

BILJANA IVANOVSKA, KSHPK

“Prin fusha e punësimit, në të gjithë sektorët, e shpërndarë horizontalisht. Problemet me nepotizmin, kronizmin, klientelizmin dhe punësimi i njerëzve joprofesionalë vazhdon si trend, që për fat të keq e shpie vendin në humnerë. Kjo, nga ana tjetër, do të thotë keqpërdorim i plotë i të drejtave diskrecionale të atyre që janë në pozita udhëheqëse. Është për t’u theksuar sistemi gjyqësor, kemi ankesa të shumta nga qytetarët.”

Sektori tjetër në këtë shkallë të përfshirjes në korrupsion, sipas Ivanovskës është “pakoja” ambient jetësor, urbanizëm dhe ndërtimtari. Aktorët në këtë fushë ende janë me vetëdije dhe ndërgjegje të ulët, thotë ajo, pa marrë parasysh që pasojat në natyrë dhe në shëndet në mënyrë të barabartë na kërcënohen të gjithëve. /KlanMacedonia/

 

Klan Macedonia

The author Klan Macedonia