close
Kulture

VIOLONÇELISTI BERNARDO BRIZANI: MUZIKA ËSHTË GJUHË NDËRKOMBËTARE

Screenshot_3

Në Slloveni prej dekadash jeton një komunitet jo gjithaq I vogël I shqiptarëve me origjinë kryesisht nga Kosova e Maqedonia e viset e tjera të banuara me shqiptarë. Ata janë të mirintegruar  në shoqërinë sllovene, por pa harruar vendlinjen dhe rrënjët e tyre. Në vazhdim ju sjellim  një intervistë me Bernardo Brizanin, violonçelistin që ka bërë emër jo vetëm në Slloveni e Evropë, por edhe në Shtetet e Bashkuara. Veçojmë se kur ka përfunduar specializimin nga fusha e muzikës në Gjermani, është shpallur doktori më i ri me këtë titull.

-Intervistoi: Seladin Xhezairi

Bernardo Brizani – Violonçelist, Lubjanë

Mirëdita! Përshëndetje nga Sllovenia! Jam Bernardo Brizani. Jam 27 vjeçar dhe në violonçelo luaj që nga mosha katërvjeçare.

–         Na flisni pak për prejardhjen tuaj, si erdhën prindërit tuaj në Slloveni?

–         Nëna ime është koate kur se im atë është nga Prishtina. Në Lubjanë së par i ka ardhur xhaxhai im në vitin 1974-75 për të studiuar tupanin, ndërsa babai ka ardhur në vitin 1980 për të studiuar mjekësinë.

–         Nga ku prirja juaj për muzikën?

–         Do të thoja se unë jam gjenerata e tretë për shkak se gjyshi im Ukë Brizani ishte dirigjent dhe borizan në Radio Prishtinë. Shumë herë ka dirigjuar edhe në Eurovizion, ka shkruar aranzhmane, ka punuar për Nexhmije Pagarushën dhe për të gjithë plejadën e atyre artistëve me Tomorr Berishën dhe mendoj se kjo prirja ime vjen prej tij. Gjyshi ka pasur paraqitje në gjithë Evropën. Ka qenë shumë i njohur dhe edhe ai pastaj u transferua në Lubjanë dhe mendoj se kjo traditë familjare për muzikën, klasike dhe të xhazit, po vazhdon edhe sot e kësaj dite.

–         Në moshën 27 vjeçare sapo jeni pranuar në Akademinë e Muzikës pranë Universitetit të Lubjanës. Më thoni, si ia dolët?

–         Po ju them: njeriu që punon, që mundohet për atë që e don, kurse unë luaj në violonçelo që nga mosha katërvjeçare, kurse në Universitetin e Lubjanës kam diplomuar si 19 vjeçar, në të njëjtën kohë kur përfundova shkollën e mesme! Pastaj, në Gjermani kam studiuar për master ku edhe doktorova për violonçelo para profesorëve shumë të njohur. Paralisht, nga mosha 12 deri në atë 18 vjeçare kam studiuar në Firence të Italisë tek Natali Gutman që është ndër violonçelistet më të njohura nga shkolla e Ostropoviqit. Në vitin 2017 përfundova doktoranturën në Gjermani dhe më pas mora akademinë ‘Orkestra- prakticum’ në Orkestrën e Baberit që është orkestra më e vjetër në Gjermani  dhe pas një viti u ktheva në Lubjanë ku kam marrë pjesë në shumë festivale. Para disa ditësh më njoftuan se më kanë pranuar asistent në Universitetin tonë dhe aktualisht ky proces po vazhdon me ngadalësi për shkak të gjendjes me pandeminë, por të presim e të shohim!

–         Më 2017-tën, sikurse thatë, ju ishit edhe specializanti më i ri, në fushën tuaj, në Gjermani!

–         Po, doktorova në vitin 2017 si më i riu në Gjermani. Atje shfrytëzoja bursën e tyre. Së pari bëra dy vjet studime master dhe dy të tjera specializimin, para kësaj në Lubjanë, për katër vjet, përfundova Akademinë e Muzikës. E mbylla në moshën 19 vjeçare dhe si shumë i ri e rrumbullakov gjithë procesin.

–         Na flisni pak për koncertet e deritashme?

–         Qysh si gjashtëvjeçar unë ngjadhnjeva në Itali në një garë ndërkombëtare dhe pastaj isha në një turne nëpër gjithë Evropën dhe kështu nisa karrierën time prej solisti. Natyrisht luaj edhe në orkestër, muzikën kamertale, por më së shumti parapëlqej të jem solist. Në moshën 13 vjeçare pata 14 koncerte e recitale në Amerikë. Pas kësaj, në vitin 2012 sërish qëndrova atje dhe në një konkurs në Nju-Jork u nderova me çmimin e dytë. Për mua shkroi, si për një muzikant të talentuar, edhe New York Timmes. Ndërkohë, pata shumë koncerte në mbarë Evropën dhe më mbanë shpresa se, pas kësaj gjendjeje, do të ketë edhe më.

–         Më thoni se a zë vend në planet tuaja edhe rajoni i Ballkanit, Kosova, Shqipëria, pse jo edhe vendi ynë Maqedonia e Veriut?

–         Shpresoj! Kam mbajtur koncert në Zagreb ku një vit kam studiuar tek profesori Valter Deshpali. Atëbotë kujtoj se kam qenë 12 vjeçar. Disa herë jam paraqitur në Beograd dhe kam dëshirë të madhe që të luaj në gjithë Ballkanin Perendimor, pra në Maqedoni, Kosovë, Shqipëri. Kam shumë dëshirë dhe shpresoj se do të më bëjnë ftesë si solist ose sidoqoftë, do të paraqitesha me kënaqësi!

–         Thuhet se kultura, mpse jo edhe muzika, i bashkon njerëzit. Si duket kjo nga përvoja juaj?

–         Mendoj se në këtë kohë  prej një viti sa po përballemi me këtë koronën, mendoj se muzika I bashkon njerëzit dhe krijon atë energjinë pozitive, ndikon pozitivisht tek njerëzit dhe në fakt me muzikën ka qenë kështu që nga antika: ka bashkuar njerëzit, ka qenë shkëndijë e ndonjë dashurie, e të gjitha punëve të mira. Kujtoj se kur është fjala për muzikën nuk ka anë negative, qoftë muzika pop, klasike, etno e ku ta di unë. Secila muzikë ngërthenë temën, rrëfimin e vet dhe ma thotë mendja se të gjithë njerëzit e admirojnë. Natyrisht, gjithkush ka stilin e vet. Personalisht i dua të gjitha zhanret e muzikës ndaj them se muzika i bashkon njerëzit nga cilido qoftë shtet – nga Afrika, Kina a ku ta di – kur është fjala për muzikën – kjo është gjuhë ndërkombëtare!

–          Thoni gjuhë ndërkombëtare! Nëse dikush ju pyet, si ndjehet apo si jeton artisti shqiptar Bernardo Brizani në Lubjanë?

–          Mendoj se shumë mirë. Ne jemi këtu tashmë, të themi, 45 vite, si familje, nga viti 1975 dhe mendoj se njerëzit më respektojnë. Nuk ka fare rëndësi përkatësia etnike. Nëse je i kulturuar, punon, dëshiron të studiosh, të dëshmohesh dhe të jesh me kulturë, s`ka asnjë problem. Kur është fjala për kulturën, s`ka rëndësi nga je, çka je dhe nga vin!

–          A mbani lidhje me atdheun e babait tuaj. A mbani lidhje me familjarët në këtë rajon?

–          Po, gyshi im ka bërë muzikë në Maqedoni, ka qenë muzikant në Shkup. Kemi lidhje të mira. Gjithashtu edhe në Prishtinë. Kemi shumë miq që kanë mbetur atje. Kemi kontakte me ta dhe shumë do të doja që të vij atje për të bërë muzikë, për të më njohur, se si gjenarata jonë, tradita dhe kultura vazhdojnë rrugëtimin në muzikën klasike.

–          Para vetes keni një violonçelo. Mund t`ia dëgjojmë zërin, mund të luani dicka?

–          Në paraqitjet e deritashme mund të ndani për ne sukseset apo edhe zhgënjimet që keni përjetuar?

–          Tashmë një vit nuk kemi koncerte publike, vetëm disa në formën online. Nëse do të flisja për ndonjë koncert të madh, edhe pse kam pasur shumë të tilla, do të veçoja atë të vitit 2011 në Pallatin e Kulturës “Ivan Cankar” në Lubjanë ku si 18 vjeçar ekzekutova Dvorzhakun.

–          Zoti Brizani, faleminderit për këtë intervistë.

–          Faleminderit dhe mirupafshim!/ Klan Macedonia/

Klan Macedonia

The author Klan Macedonia