FILIPÇE: PËR MOMENTIN S`KA KUFIZIME TË REJA, POR NUK PËRJASHTOHET SI MUNDËSI
Në Maqedoninë e Veriut, virusi britanik bëhet gjithnjë e më agresiv. Ministri I Shëndetësisë, Venko Filipçe ka pranuar se tek 70% e të infektuarve të rinj është konfirmuar lloji britanik I COVID-19, gjë që sipas autoriteteve shëndetësore ka ndikuar dukshëm në rritjen e rasteve të reja. Shifrat e fundit flasin se mbi 20% e të testuarve rezultojnë pozitiv.
VENKO FILIPÇE – MINISTËR I SHËNDETËSISË
“Ka një rritje të numrit të pacientëve me Covid-19. Në këtë moment, vazhdojnë ekzaminimet në laboratorin e AMSHA-së. Dje, kam biseduar me përfaqësues të laboratorit nga klinika “Zhan Mitrev”, ku lloji i virusit britanik është i pranishëm në 70 % të rasteve. Është e qartë se numri i personave të infektuar po rritet, ndërsa një pjesë e rritjes së shifrave është për shkak të pranisë së këtij lloji të virusit, i cili përhapet më lehtë”
Qeveria dje ka nënshkruar kontratë për blerje edhe të 100 mijë doza të vaksinave ruse “Sputnik V”. Por, Ministri I Shëndetësisë, Filipçe nuk kishte një përgjigje se kur do të arrijnë 200 mijë vaksinat e paralajmëruara kineze, e as 5.800 dozat nga Kompania “Pfizer”, për të cilat flitej se do të arrijnë në fund të Shkurtit.
VENKO FILIPÇE – MINISTËR I SHËNDETËSISË
“Kërkohen dokumente shtesë, por edhe të qartësohen disa nene nga kontrata. Këto dalin nga komunikimi i përditshëm dhe nga shkëmbimi i informacioneve. Ja edhe sot komunikojmë dhe shpresoj që ditëve në vijim do të kemi datë konkrete se kur do t’i kemi këto vaksina”
Autoritetet e shëndetësisë në Maqedoninë e Veriut për momentin nuk mendojnë për vendosjen e masave të reja shtrënguese, por nuk përjashtojnë një mundësi të tillë nëse përkeqësohet situata me infektimet e reja.
Raportet nga terreni flasin për rritje të numrit të të hospitalizuarve. Janë mbi 650 pacientë të shtruar nëpër covid-spitalet e vendit.
Autoritetet e shëndetësisë në Maqedoninë e Veriut presin që brenda dy javëve të përfundojë procesi I imunizimit të punonjësve shëndetësor, përkatësisht të 4.000 prej tyre që punojnë me pacientët me COVID-19. /KlanMacedonia