close
Top LajmeVendi

VIRUSI CORONA: FRIKA NGA PRODUKTET KINEZE

RUSTEMI: PRODUKTET KONTROLLOHEN PARA SE TË VIJNË NË RMV

Të gjitha paketat që vijnë nga tregu kinez,nuk vijnë  drejtëpërsëdrejti nga Kina në Maqedoni deklaron drejtori i Postave të RMV-së Ejup Rustemi. Ai sqaron se produktet  kalojnë në punktin e Pragës dhe Frankfurtit, dhe iu nënshtrohen një sërë kontrollesh, prandaj pothuajse nuk ka gjasa që virusi corona të bartet në këtë formë në RMV.

Të shumtë janë qytetarët e vendit që bëjnë porosi të produkteve on-line nga tregu kinez nëpërmjet faqeve Ali Express, Wish, Amazon dhe të tjera. Por, tani që virusi korona po merr përmasa të mëdha, tek qytetarët ekziston frika e bartjes së tij nëpërmjet këtyre produkteve. Megjithatë, në një deklaratë dhënë për Klan Maqedoni, drejtori i postave të RMV-së,Ejup Rustemi, hedh poshtë mundësinë e tillë të bartjes së virusit.

‘Të gjitha paketat që na vijnë ne nga Ali Expresi nuk na vijnë drejtëpërsëdrejti nga Kina në Maqedoni por vijnë nëpërmjet dy punkteve të Pragës dhe Frankfurtit, të gjitha ato vijnë me aeroplan, dhe të gjitha që vijnë, vijnë nëpërmjet shteteve të BE-së.’ –tha Ejup Rustemi, drejtor i postave të RMV-së.

Rustemi deklaron se e ndjekin me vëmendje të gjithë situatën, por deri më tani nuk ka qenë e nevojshme marrja e ndonjë mase për produktet e porositura nga Kina.

‘Derisa nuk kemi direktiva të tilla nga institucionet relevante, ne njëherë për njëherë nuk kemi marrë ndonjë masë të caktuar por jemi në një situatë që në mënyrë shumë vigjilente e ndjekim situatën. Institucionet shëndetësore kanë marrë masa në aeroportin e Shkupit dhe pasi që të gjithë paketat vijnë nëpërmjet aeroplanëve, unë besoj se edhe paketat kalojnë nëpër masat e tilla që vijnë deri në portën e RMV-së.’ –shprehet 
Ejup Rustemi, drejtor i postave të RMV-së.

Investitorët në të gjithë botën janë tronditur nga përhapja e shpejtë e virusit në Kinë dhe bursat kanë ndjerëm rënie të mprehtë në nisje të javës.Ekspertët thonë se ekonomia kineze do të pësojë një goditje në afat të shkurtër dhe një rënie në Produktin e Brendshëm Bruto me 1 për qind në gjysmën e parë të 2020. Ndryshe, nga virusi corona që ka shpërthyer në Kinë deri më tani kanë vdekur 106 persona. /Blerona Jakupi/
        
Klan Macedonia

The author Klan Macedonia