Me 227 vota për dhe pesë kundër, Parlamenti i Serbisë e votoi qeverinë e re të kryeministres, Ana Bërnabiq.
Qeveria e re serbe do të ketë 21 ministri dhe dy ministra pa portofol.
Më herët, duke paraqitur planin e qeverisë, Ana Bërnabiq ka theksuar që Qeveria serbe do të ketë gjashtë qëllime kryesore, prej të cilave, e para do të jetë ruajtja e shëndetit të qytetarëve.
Bërnabiq ka shtuar që qëllimet e tjera janë edhe interesat e Serbisë në Kosovë, lufta kundër mafies, ruajtja e vendimmarrjes së pavarur të Serbisë, përshpejtimi i reformave dhe përparimi ekonomik i vendit.
Ajo gjithashtu deklaroi se qeveria e saj nuk do të heqë dorë nga insistimi për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Bashkë me Partinë Përparimtare Serbe(SNS), qeverinë përfshinë gjithashtu ish-partnerin e tyre, Partinë Socialiste të Serbisë (SPS) të Ivica Daçiqit, por edhe Aleancën Patriotike Serbe – SPAS të Aleksandar Shapiq, i cili ka qenë në opozitë deri më tani. / REL /