close
Të ndryshme

Xhaferi: Integrimi evropian: Ballkani Perëndimor, vlerë e shtuar e rajonit Adriatiko-Jonian dhe e Bashkimit Evropian

3 (3)

Kryetari i Kuvendit të  Republikës së Maqedonisë së Veriut Talat Xhaferi sot ka qenë pjesmarrës në Konferencën e XVIII të Nismës Adriatiko-Joniane e cila është mbajtur në Tiranë të Shqipërisë.

Në vazhdim ua sjellim fjalimin e plotë të Kryeparlamentarit Talat Xhaferi:

Është kënaqësi t’ju përshëndes të gjithë të pranishmit në këtë Konferencë të XVIII të Nismës Adriatiko-Joniane, këtu, në Tiranën e bukur, dhe të konstatoj se përsëri, për të satën herë, konfirmohet roli dhe përkushtimi i parlamenteve, respektivisht dimensioni parlamentar i Nismës Adriatiko-Joniane në realizimin e përcaktimeve të shënuara në deklaratën e saj themeluese. Gjithsesi, ato zotime janë edhe përcaktime strategjike të shteteve tona në rajonin e Ballkanit Perëndimor, edhe pse për fat të keq, akoma nuk jemi anëtare të Bashkimit Evropian. Megjithatë, jemi të vetëdijshëm se konferencat e këtilla janë jashtëzakonisht të dobishme për nxitjen e bashkëpunimit të ndërsjellë parlamentar në fushat me interes të ndërsjellë, siç janë për shembull ekonomia, transporti dhe komunikimi, mbrojtja e mjedisit jetësor, shkenca dhe kultura, si edhe të inkurajojnë zhvillimin e formave përkatëse të bashkëpunimit tejkufitar për çështjet me interes të përbashkët në rajonin Adriatiko-Jonian.

Për fat të keq, situata e sigurisë në Ukrainë na kthen edhe në njërin nga qëllimet gjatë formimit të Nismës në Ankona më 20 maj të vitit 2000 si propozim i Italisë, respektivisht, përforcimin e sigurisë të vendeve në rajon dhe nxitjen e procesit të integrimit në Bashkimin Evropian. Tani, kjo është e nevojshme më shumë se kurdoherë, duke e pasur parasysh se agresioni rus mbi Ukrainën tregoi se sa është i rëndësishëm zgjerimi i Bashkimit Evropian për sigurinë, stabilitetin dhe konsolidimin demokratik të gjithë rajonit.

Në këtë kontekst, Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut më 3 mars të këtij viti e miratoi “Deklaratën për dënimin e atakëve luftarakë që e rrezikojnë integritetin territorial dhe sovranitetin e Ukrainës,” ku ndër të tjerat, nga institucionet kompetente kërkohet të jenë në koordinim të ngushtë me vendet anëtare të NATO-s dhe BE-së në raport të angazhimit të përbashkët për mbështetjen e përpjekjeve diplomatike për një ndërprerje urgjente dhe të pakushtëzuar të veprimeve luftarake në territorin e Ukrainës. Kjo është diçka për të cilën do të angazhohem edhe personalisht, sepse akoma i kam para syve imazhet pikëlluese të qyteteve të rrënuara në Ukrainë, që i pash gjatë vizitës sime të paradokohshme në Kiev. Agresioni mbi Ukrainën është diçka që nuk guxonte të lejohet të ndodhë. Është turp dhe dobësi e gjithë botës bashkëkohore dhe demokratike me “gjoja se” vlera të mësuara dhe të ndara. Në të njëjtën kohë, na tregoi se akoma jemi shumë të dobët dhe të brishtë dhe se ekziston mundësi për derdhjen e luftës, sidomos nëse qëndrojmë të vetmuar përballë erës.

Pikërisht për këtë, është e domosdoshme që Bashkimi Evropian, pa prolongim, të përcaktojë datën për mbajtjen e seancës së parë ndërqeveritare me të cilën do e shënojë fillimin e negociatave të anëtarësimit me Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Shqipërisë, edhe atë më së miri gjatë kryesimit francez. Edhe pse çdo shtet individualisht ka strategjinë e vet dhe i ndërmerr hapat e duhura për mbrojtjen e integritetit dhe sovranitetit të vet territorial, përsëri, edhe përgjegjësia për stabilitetin në rajon dhe integrimin e tij evropian është po ashtu obligim i çdo shteti veç e veç. Për Republikën e Maqedonisë së Veriut, anëtarësimi në Aleancën e NATO-s do të thotë të jesh pjesë e përpjekjes për ruajtjen e paqes dhe gjithsesi se ajo që jemi bashkë dhe të unifikuar nën atë ombrellë të përbashkët na jep ndjenjën e fuqisë dhe sigurisë dhe në të njëjtën kohë, ka ndikim shumë pozitiv edhe mbi gjithë rajonin, bile edhe më gjerë.

Zonja dhe zotërinj,

Për ne si shtete aspiruese është shumë me rëndësi që në suazat e Nismës Adriatike-Joniane të intensifikojmë bashkëpunimin ndërmjet parlamenteve dhe trupave parlamentarë rreth asaj që do na ndihmojë në reformat tona a në të njëjtën kohë  do të mund ti artikulojmë interesat tonë, pyetjet tona dhe ndonjëherë mundet edhe dilemat në Parlamentin Evropian por edhe para institucioneve tjera të Bashkimit Evropian.

Të nderuar kolegë,

Dëshiroj të shpreh edhe mbështetjen time të plotë për EUSAIR-in (Strategjinë e Bashkimit Evropian për Nismën Adriatiko-Joniane), si mjet i dobishëm për bashkëpunimin ekonomik ndërmjet vendeve anëtare dhe vendeve kandidate për anëtarësim. E çmojmë lartë rolin e Nismës në rritjen e bashkëpunimit rajonal dhe inkurajimin e procesit të zgjerimit me vendet e Ballkanit Perëndimor. Si vende, si rajon, duhet të kthehemi njëri ndaj tjetrit, gjithmonë, dhe në çdo formë të nismës, bashkëpunimit, projektit të përbashkët dhe bashkëpunimit multilateral, që të jemi tërheqës dhe konkurrues në tregjet e mëdha botërore. Kjo do të kontribuojë për mirëqenien e qytetarëve, shteteve dhe rajonit tonë.

Në fund, dëshiroj të shpreh falënderim ndaj mikpritësit tonë, Kuvendit të Shqipërisë për konferencën e organizuar me sukses, me besim të sinqertë se bashkëpunimi jonë rajonal do të vazhdojë të mbindërtohet dhe zhvillohet për prosperitetin e të gjithë qytetarëve tanë dhe për integrimin e plotë të rajonit në Bashkimin Evropian. I uroj mirëseardhje edhe anëtares së porsaardhur të Nismës Adriatiko-Joniane, shtetit San Marino, ndërsa Bosnjës dhe Hercegovinës i uroj kryesim të suksesshëm me Nismën.

Ju faleminderit për vëmendjen!

Klan Macedonia

The author Klan Macedonia