close
Screenshot_6

25 vite marrëdhënie diplomatike me Maqedoninë e Veriut


Kryeparlamentari Talat Xhaferi i shoqëruar nga deputetët Rexhail Ismaili dhe Meri Lazarova kanë qëndruar për vizitë zyrtare dyditore në Austri. Në takimin me nënkryetarin e Këshillit Federal, Magnus Bruner, u fol për Marrëveshjen me Greqinë, ndarjen e datës për negociata në qershor të këtij viti, dhe marrëdhënien diplomatike 25 vjeçare mes Maqedonisë së Veriut dhe Austrisë.

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi gjatë vizitës zyrtare dyditore në Republikën e Austrisë u takua edhe me nënkryetarin e Këshillit Federal, Magnus Bruner. Në deklaratën e tij, ky i fundit uroi arritjen e Marrëveshjes me Greqinë dhe theksoi se ky përfitim historik do të vlerësohet edhe nga ana e BE-së dhe se Republikës së Maqedonisë së Veriut do i ndahet datë për negociata në qershor të këtij viti.

Sipas tij, hapja e negociatave në qershor të vitit 2019 do të dërgojë mesazh të qartë dhe pozitiv për të gjitha vendet aderuese nga Ballkani Perëndimor. Duke shprehur kënaqësi që vizita zyrtare të realizohet në vitin kur të dy vendet kremtojnë 25 vite marrëdhënie diplomatike, nënkryetari Bruner u zotua për intensifikimin e bashkëpunimit ekonomik.

Edhe Kryeparlamentari Xhaferi i vlerësoi marrëdhëniet politike ndërmjet dy vendeve si miqësore dhe falënderoi për mbështetjen e vazhdueshme që Republika e Austrisë ia jep Republikës së Maqedonisë së Veriut në procesin e integrimeve evropiane e sidomos që një nga prioritetet e kryesimit austriak ishte edhe integrimi i Ballkanit Perëndimor në BE, në kohën kur edhe Bashkimi Evropian ballafaqohet me shumë sfida. /Blerona Jakupi/

 

 

Klan Macedonia

The author Klan Macedonia