close
Top LajmeVendi

ZAEV ME APEL TË RI TE DEPUTETËT PËR LIGJIN E PP-së

Screenshot_7

Ish-kryeministri Zoran Zaev deklaron se ka shpresë të madhe në mbështetjen e grupit tetë-anëtarësh të pavarur parlamentar, kryesisht deputetë që kanë dalë nga grupi i VMRO-DPMNE-së në Kuvend, për miratimin e ligjit për Prokurori Publike, i cili gjithnjë e më shpesh përmendet nga përfaqësuesit e Bashkimit Evropian në lidhje me fillimin e negociatave aderuese me Maqedoninë e Veriut. Nga VMRO-DPMNE thonë se nuk do të lëshojnë pe, ndërsa ekipi i tyre negociues do të negociojë vetëm në prani të ekspertëve dhe të faktorit ndërkombëtar.

Edhe pse nuk është kusht për fillimin e negociatave me BE-në, megjithatë përfaqësuesit e lartë evropianë në periudhën që shkoi Ligjin për Prokurori Publike e përmendin gjithnjë e më shpesh, duke theksuar se është e nevojshme që të miratohet në përbërjen aktuale të Kuvendit. Ish-kryeministri Zoran Zaev pret përparim në negociata.

“Shpresoj te grupi i pavarur i deputetëve të VMRO-DPMNE-së, të opozitës, maqedonase, shqiptare, të të gjitha partive politike, me qëllim që të arrijmë nëse është e mundur konsensus, nëse jo, të paktën dy të tretat e votave për këtë ligj.” –tha Zoran Zaev, LSDM.

Nga VMRO-DPMNE sot kërkaun që në bisedimet për ligjin për Prokurori Publike të kyçen ekspertë dhe faktori ndërkombëtar.

“Të heqim dorë nga kërkesat, kjo nuk do të ndodhë, sepse ajo që e kërkojmë ka të bëjë me zbatimin e propozim-ligjit, më tutje edhe të ligjit. VMRO-DPMNE do të marrë pjesë në negociata vetëm nëse merr pjesë edhe opinioni profesional, por edhe përfaqësues të faktorit relevant ndërkombëtar.” –deklaroi Igor Janushev, VMRO DPMNE

Edhe zyrtarisht Kuvendi do të shpërndahet më 12 shkurt, ndërsa miratimit të ligjit i paraprin procedura parlamentare para votimit përfundimtar, për çka sipas kompetentëve është e palejueshme zvarritja e mëtutjeshme e kësaj çështje. Në takimin e sotëm ishin të ftuar përfaqësues të të gjitha grupeve parlamentare. /Verica Dimitrijevska/

 

 

Klan Macedonia

The author Klan Macedonia