close
Top LajmeVendi

ZAEV NË OKB: “PRESPA” PËRFORCOI STABILITETIN NË BALLKAN

Screenshot_1

Marrëveshja e Prespës, bashkë me Marrëveshjen për fqinjësi të mirë me Bullgarinë, e përshpejtoi integrimin tonë në NATO dhe i mënjanoi pengesat më të mëdha për integrimin tonë në BE, theksoi kryeministri në fjalimin e tij në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Kryeministri Zoran Zaev në fjalimin e tij në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, preku më shumë tema globale, politike, sociale dhe ekologjike. Megjithatë një pjesë të madhe ia kushtoi Marrëveshjes me Greqinë.

“Vendosëm t’i lëmë pas të kaluarën e errët dhe të kthehemi drejt perspektivave më të ndritshme dhe përparimit, përmes partneritetit dhe zgjidhjeve të arritura me bashkëpunim”, theksoi Zaev.

Ai para delegatëve të pranishëm sqaroi çfarë do të thotë Marrëveshja.

“Më në fund e kompletuam letërnjoftimin tonë në Kombet e Bashkuara. Krahas emrit Republika e Maqedonisë së Veriut, për gjuhën thuhet: gjuha maqedonase, ndërsa për shtetësinë: maqedonase / qytetar i Republikës së Maqedonisë së Veriut”, theksoi kryeministri.

Zaev shtoi se Marrëveshja e Prespës duhet të jetë motiv për transformim në Ballkan.

“Nuk kishim garanci për sukses. Suksesin e arritëm bashkë me kolegët tonë nga Greqia. Kjo është kthesë që duhet të shërbejë si katalizator i procesit për transformim të Ballkanit. Ajo mund të shërbejë edhe si shembull për tejkalimin e problemeve të vështira afatgjate, për të cilat mendohet se nuk zgjidhje”, theksoi Zaev.

Në një pjesë të fjalimit të tij ai theksoi edhe kërcënimin që vjen nga informacionet e rrejshme.

“Informacionet e rrejshme dhe dezinfortmatat, së bashku me fushatat për këto qëllime edhe më tej paraqesin kërcënim dhe e minojnë sundimin global të demokracisë, në të njejtën kohë duke vënë në provë rezistencën e shoqërive demokratike në tërë botën”, tha Zaev.

Asambleja e përgjithshme e Kombeve të Bashkuara mbahet për të 74-ën herë, ndërsa zyrtarisht do të përfundojë të dielën. Në kuadër të delegacionit maqedonas janë edhe zv/kryeministri për çështje evropiane, Bujar Osmani dhe ministri i punëve të jashtme, Nikolla Dimitrov. /Klan Macedonia/

 

Klan Macedonia

The author Klan Macedonia