close
Sport

ZHGËNJIM PAS HUMBJES ME TURQINË

turqi-shqiperi

U cilësua si një finale dhe mbase për këtë arsye edhe presioni mbi Kombëtaren Shqiptare para ndeshjes me Turqinë ishte shumë i madh. Përfaqësuesja kuqezi u mposht 1-0 me një gol të dhuruar nga portieri Thomas Strakosha. Në fushën e lojës futbollistët justifikuan plotësisht pritshmërinë që kishin para ndeshjes. Për 89 minuta ishin shumë të fortë në mbrojtje, në mesin e fushës u munduan të prodhonin sa më shumë, por u mungoi finalizimi.

Rey Manaj mbi të gjitha nuk e përligji aspak besimin e teknikut Reja, duke shpërdoruar shume raste, njeri prej tyre vetëm me portën që ishte e boshatisur. Pas kësaj disfate trajneri Reja pranon se kualifikimi në Euro 2020 tashmë është një mision shumë i vështirë.

“Kemi bërë një lojë perfekte, po të mos ishte për episodin e minutës së fundit. Kemi pasur disa shanse për të kaluar në avantazh, duhej ta mbyllnim ndeshjet me ato raste. Djemtë janë të zhgënjyer dhe të mërzitur, si dhe populli shqiptar që na ndoqi. Humbëm një rast të mirë për 3 pikët këtu, që të vazhdonim garën për në Europian. Rruga për në Europian është shumë e vështirë”.

Trajneri i Turqisë duket i çliruar pas kësaj fitoreje me shumë vuajte, që erdhi në minutën e 90.

“Kemi pasur mangësi të theksuara, por ato i superuam me dëshirën që patën futbollistët për të marrë atë që deshëm. Nuk do të bëj asnjë analizë dhe do të mendojmë sa më shpejt që të harrojmë këtë ndeshje stresuese dhe të vështirë përpara publikut tonë, për të menduar sa më shpejt për Francën”.

Festimi i lojtarëve të Turqisë ishte më shumë se sa për një gol në minutat e fundit. Siç duket ata nuk e mendonin kaq të vështirë ndeshjen. Në fund futbollistët vendas u rreshtuan para kamerave me nderim ushtarak që sikurse u tha më pas lidhet me situatën në jugun e Turqisë dhe sulmet që janë duke ndodhur në Siri ndaj popullsisë kurdë, të cilët janë cilësuar si terroristë nga qeveria turke.

FIFA dhe UEFA kanë bërë thirrje që futbolli nuk duhet të ngatërrohet me politikën për këtë arsye pritet që ndaj përfaqësueses turke të merren masa.

Tv Klan

Klan Macedonia

The author Klan Macedonia