close
Rajoni

ZVARRITET NDARJA E PASURISË SË ISH-FEDERATËS JUGOSLLAVE

yugoslavia

Pas një pauze katërvjeçare, në Zagreb, është mbajtur mbledhja e pestë e Komitetit të Përzier për mbikëqyrjen e zbatimit të Marrëveshjes  për ndarjen e pasurisë së ish-Jugosllavisë. Kroacia ka akuzuar Serbinë për shfrytëzim ilegal të fiancave të deponuara nëpër bankat e huaja dhe kërkon kompensimin e tyre.

Rreth 30 vjet nga shpërbërja e Jugosllavisë, subjektet që përbënin ish-federatën vazhdojnë përplasjet për ndarjen e pasurisë. Këto ditë, sipas medias kroate, Zagrebi zyrtar ka kërkuar nga Serbia kthimin e 148.5 milion dollarëve, konform marrëvshjes për ndarjen e pasurisë së ish-Republikës Federative të Jugosllavisë. Pala kroate pikënisje ka Marrëveshjen e Suksesionit të firmosur nga të gjitha shtetet trashëgimtare ku thuhet se në vitin 2001 është përllogaritur se nëpër llogaritë e bankave të përziera të RSFJ-së, jashtë vendit, ka pasur 645.55 milion dollarë. E përditshmja Veçernji list këto ditë shkruante se dyshohet që Beogradi zyrtar shumë nga këto mjete i ka harxhuar ilegalisht. Ministria e Jashtme e Kroacisë ka bërë të ditur kërkesën se Serbia duhet t’i kompensojë. Në të njëjtën kohë, pala serbe ka përgënjeshtruar pretendimet nga Zagrebi për shumën e parave në momentin e shpërbërjes së Federatës, duke pohuar se nuk ka pasur 645, por vetëm 56 milion dollarë. Çështja e debatueshme është shtruar edhe zyrtarisht në rend dite të mbledhjes së Këshillit të përhershëm të Përbashkët  për mbikëqyrjen e zbatimit të Marrëveshjes së suksesionit, këtë të mërkurë, në Zagreb. Andreja Metelko-Zgombiq, një zyrtare e Ministrisë së Jashtme ka deklaruar se ka qenë Serbia ajo që ka miratuar tërhqjen e mjeteve dhe i përket asaj të gjejë mënyrën se si ka për ta rregulluar çështjen.

Marrëveshja për ndarjen e pasurisë së ish-federatës jugosllave është nënshkruar në Vjenë para 29 vjetësh, por deri tani kjo çështje nuk është hequr nga rendi i ditës. Komisioni për mbikëqyrjen e realizimit të saj është mbledhur deri tani vetëm pesë herë. Ai i radhës paralajmërohet të mbahet vitin e ardhshëm në Shkup. Përparime ka pasur në ndarjen pronave ku kanë qenë të vendosura përfaqësitë diplomatiko-konsullore. Andrej Zhernovski, zëvendësministër i Jashtëm dhe përfaqësues i Maqedonisë në këtë Këshill, tha se vendi pret të arkëtojë rreth katër milion dollarë – kryesisht nga shitja e përfaqësive në Shtetet e Bashkuara, në Gjermani dhe në Zvicër. Ngecjet më të mëdha, ndërkaq janë në ndarjen e arit e financave, lëndëve arkivore, apo edhe të pasurive private e pronave të përbashkëta ku mbizotërojnë ato që kanë qenë në pronësi të ish-armatës jugosllave. /Seladin Xhezairi/ 

Klan Macedonia

The author Klan Macedonia