close

13 VENDE TË BE-së: “NON PAPER” PËR DATË TË NEGOCIATAVE

Ambasadorët e BE-së në takimin e nesërm në Bruksel në tavolinë do ta kenë edhe “Non Pejpërin” e 13 vendeve anëtare të BE-së, kryesisht të Evropës së Re, plus Italisë dhe Austrisë, me të cilin dëshirojnë ti japin nxitje të re procesit të zgjerimit drejt Ballkanit Perëndimor, në vecnati përkrahje për fillimin e negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.

Ministrat e Jashtëm të 13 vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, përmes një deklarate të përbashkët, kanë përsëritur mbështetjen e vazhdueshme për procesin e integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian. Në deklaratë, i bëhet thirrje Këshillit të Bashkimit Evropian, që në takimin e qershorit, të marrë vendim për hapjen e negociatave për anëtarësim me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

“Fillimi i negociatave në qershor të vitit 2019 do të kontribuojë në forcimin e qëndrueshmërisë së vendeve ndaj interesave të jashtme, dhe të dëmshme, të aktorëve të tjerë, dhe do të sigurojë që BE-ja do të vazhdojë të jetë lojtari kryesor për një transformim pozitiv të rajonit”- thuhet në deklaratën e 13 vendeve të BE-së.

Shefat e diplomacisë së 13 vendeve anëtare të BE-së, theksojnë se është thelbësore të vazhdohet me procesin e integrimit të Ballkanit Perendimor, dhe sipas tyre, krahas me këtë proces, nuk ekziston plani B.

“Është thelbësore për të siguruar përparimin e përgjithshëm të rajonit. BE-ja duhet të përmbushë angazhimin e saj të qartë për integrimin evropian të Ballkanit Perëndimor. Nuk ka plan B”.

Deklarata është nënshkruar nga ministrat e Jashtëm të Çekisë, Estonisë, Letonisë, Lituanisë, Hungarisë, Bullgarisë, Italisë, Polonisë, Maltës, Austrisë, Kroacisë, Sllovenisë dhe Sllovakisë. Kjo deklaratë vjen në kohën kur vendet anëtare të BE-së janë të ndara sa i përket hapjes së negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Komisioni Evropian ka rekomanduar hapjen e pakushtëzuar të negociatave të anëtarësimit ndërmjet Brukselit e Shkupit dhe Tiranës. Presidenti i Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker më parë pranoi se tani për tani nuk ka konsensus në mesin e shteteve anëtare për miratimin e hapjes së negociatave për anëtarësim. /Klan Maqedoni/