close

15 VJET NGA VDEKJA TRAGJIKE E PRESIDENTIT TRAJKOVSKI

Me aktivitete të shumta në Maqedoni, por edhe në Mostar të Bosnjë Hercegovinës, është shënuar 15-vjetori i vdekjes tragjike të Presidentit Boris Trajkovski. Në Shkup, në përkujtim të jetës dhe veprës së tij është mbajtur një panel diskutimi kurse është organizuar edhe lutja e mëngjesit me pjesëmarrje të figurave të shquara politike nga vendi, rajoni dhe bota.

Kryeministri Zoran Zaev ka marrë pjesë në mëngjesin lutjeve të organizuar në bashkëpunim me Fondacionin Ndërkombëtar “Boris Trajkovski” me rastin e 15 vjetorit të vdekjes tragjike të ish-Presidentit.

“Jeta e tij përfundoi tragjikisht pikërisht në ditën kur Maqedonia duhej të bënte edhe një hap të madh përpara në rrugën drejt integrimeve në BE. Në ditën kur aplikimi për anëtarësim, i nënshkruar edhe nga ai, duhej zyrtarisht të prezantohej në Dablin të Republikës së Irlandës” –thekson Zoran Zaev-Kryeministër.

“Liderizëm i bazuar në vlera – nga parimet deri në realizimin” ishte tema e panel diskutimit me rastin e shënimit të 15 Vjetorit të vdekjes së Presidentit Boris Trajkovski. Në këtë panel diskutim kanë marrë pjesë ish-shefa shtetesh dhe qeverive të cilët në atë kohë kanë bashkëpunuar me Presidentin e ndjerë Boris Trajkovski.

Ish-Presidenti Boris Trajkovski së bashku me një delegacion tetë anëtarësh të kabinetit të tij dhe anëtarë të ekuipazhit në avionin qeveritar, që udhëtonin në një Konferencë Ndërkombëtare në Mostar, humbën jetën në aksident më 26 Shkurt të vitit 2004. Për aksidentin që ndodhi në afërsi të Mostarit, rreth shkaqeve dhe nëse ky aksident ka qenë fatkeqësi ajrore apo “terrorizëm”, ishin zhvilluar dy hetime dhe publikuar dy raporte, ku kanë marrë pjesë edhe ekspertë nga Maqedonia. /Klan Maqedoni/