24 vite nga sulmet ajrore të NATO-s ndaj Serbisë

AMBASADORI AMERIKAN NË BEOGRAD CHRIS HILLS KA NGUSHËLLUAR SERBËT

Serbia shënon 24 vjetorin e sulmeve ajrore të NATO-s, kundër Republikës së atëherëshme Federale të Jugosllavisë. Në sulmet ajrore kanë marrë pjesë 19 vende perëndimore, kurse aksionet nga ajri zgjatën 78 ditë, njofton KlanM.

Ambasadori amerikan në Beograd Chris Hill ka ngushëlluar serbët për humbjet e jetëve gjatë bombardimeve të NATO-s që nisën më 24 Mars të 24 viteve më parë. Hill, tha se ndërhyrja e NATO-s, ndali spastrimin etnik në Kosovë nga regjimi serb i Milllosheviçit. Gjithsesi Hill është i vetëdijshëm se serbët s’do ta harrojnë kurrë atë periudhë.

“E di që populli serb nuk do ta harrojë kurrë atë kohë të tmerrshme, dhe as nuk duhet që ta harrojë. Populli serb nuk do ta lërë kurrë mënjanë pikëllimin e tij, por besoj se ai është mjaft i fortë për të lënë anash ankesat për padrejtësi. Përkushtimi i Shteteve të Bashkuara ndaj partneritetit me Serbinë është i palëkundur, siç është edhe angazhimi ynë ndaj diplomacisë. Së bashku, ne mund të ndërtojmë të ardhmen më të mirë që populli serb e meriton dhe dëshiron në breza“ – tha Kristofer Hill.

Nuk ka të dhëna përfundimtare për numrin e viktimave gjatë bombardimeve të NATO-s. Sipas Ministrisë serbe të Mbrojtjes gjatë sulmeve kanë vdekur 1.031 pjesëtarë të armatës dhe policisë dhe rreth 2.500 civilë. Ka patur dëmtime të rënda në infrastrukturë, kapacitete industriale dhe caqe tjera që ishin cilësuar nga aleanca si caqe legjitime.

Gjatë sulmeve ajrore të NATO-s ishin shfrytëzuar hapësirat ajrore të Shqipërisë, Kroacisë dhe Hungarisë.

Sulmet ajrore të NATO-s erdhën pas negociatave të pasuksesshme për zgjidhjen e çështjes së Kosovës në Rambuje dhe në Paris në vitin 1999.

Bombardimet e NATO-s përfunduan më 10 Qershor 1999, pas miratimit të Rezolutës 1244 të Këshillit për Siguri të OKB-së. Pasoi tërheqja e ushtrisë dhe policisë serbe nga Kosova që u zëvendësuan me trupa ndërkombëtar, kurse në Kosovë u kthyen rreth 1 milion refugjatë që për shkak të dhunës serbe ishin strehuar në Maqedoni, Shqipëri dhe vende tjera.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share