close

50 VITE NGA SHKELJA E PARË NË HËNË 

Mijëra njerëz në botë këtyre ditëve e shënojnë 50-vjetorin e shkeljes së parë në Hënë. Në shumë qytete janë organizuar programe speciale, atraksione me parashuta dhe koncerte, ndërsa në Nju Jork u numërua mbrapsht që të shënohet momenti i saktë kur gjysmë shekulli më parë astronauti Nil Armstrong e bëri hapin e parë në satelitin natyror të Tokës.

Në muzeun e famshëm për kërkime hapësinore, Smitsonijans, në Uashington, janë ekspozuar më shumë ekzemplarë të udhëtimit të parë të njeriut në Hënë, duke përfshirë edhe veshjen që e kanë mbajtur kosmonautët. Në qytet qarkullojnë video-incizime nga udhëtimi i anijes kozmike Apollo 11, ndërmarrje e programit amerikan hapësinor, së cilës në vitin 1969 iu gëzuan miliona njerëz nga mbarë bota. Ekspozita me hënën gjigante që varet janë hapur edhe në Paris dhe Madrid, derisa në kosmodromin Bajkonur, në Kazakistan, fluturakja hapësinore Sojuz dje me sukses e barti një grup astronautësh nga Rusia, Italia dhe SHBA-të deri te Stacioni Ndërkombëtar Hapësinor – gjithçka në shenjë të ngjarjes e cila para 50 viteve ndaloi frymëmarrjen e banorëve të Tokës, duke motivuar besimin se njeriu do të arrijë të depërtojë shumë më thellë në hapësirën që na rrethon.

Më 20 korrik të vitit 1969 Nil Armstrong kur doli nga kapsola “Igëll”, e cila ateroi në sipërfaqen shkëmbore të Hënës, shqiptoi fjalinë e njohur l: ” Hap i vogël për njeriun, i madh për njerëzimin”.
Misioni, kryesisht u ngrit si rezultat i Luftës së Ftohtë midis SHBA-ve dhe Ish-Bashkimit Sovjetik. Sot ky mision është frymëzim për të gjithë kurreshtarët që edhe më tej vazhdojnë t’i shikojnë yjet. NASA këtyre ditëve në internet për gjeneratat e reja i nxori pamjet nga fillimi, në të cilat përveç Armstrongut shihen edhe kosmonautët Baz Oldrin dhe Majkëll Kolins, atëherë që të gjithë në moshën 39 vjeçare. Oldrin dhe Kolins ende jetojnë, ndërsa Armstrong vdiq në vitin 2012 në moshën 82 vjeçare. /Biljana Georgievska/