Në 7 Mars, ditën e Mësuesit, edhe këtë vit sfidat dhe progresi në arsim nuk mungojnë. Një abetare gjithëkombëtare është ajo që u mungon fëmijëve të Maqedonisë, Malit të Zi dhe Preshevës, deklaroi veteran i arsimit Fadil Lushi.
Shqetësimi kryesor sot për sot në arsimin shqip, sipas veteranit të arsimit Fadil Lushi është mungesa e një abetareje gjithëkombëtare. Një e tillë është bërë vetëm për fëmijët e Shqipërisë dhe Kosovës dhe shqetësues është fakti që janë lënë anash fëmijët shqiptar që jetojnë në Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi dhe Luginën e Preshevës.
Sipas profesorit universitar Xheladin Murati, arsimi krahasuar me vitet më të hershme ka shënuar dukshëm progres.
Dekani i fakultetit pedagogjik, Fadbi Osmani në manifestimin e organizuar në UT, deklaroi se kremtimet e tilla duhet të vazhdojnë në nder dhe kujtim të atyre që dhanë kontribut në ngritjen dhe cilësinë e arsimit.
Profesori universitar Lulzim Memeti deklaroi se jo pak popuj kanë tentuar të tjetërsojnë gjuhën, kulturën, historinë dhe gjenezën shqiptare, por siç theksoi ai edhe pse nën presionin e pushtuesve, mësimdhënësit shqiptarë arritën t’i mbrojnë të njëjtat me krenari.
Ndryshe, çdo 7 Mars festohet dita kur në Korçë, në vitin 1887 u hap Mësonjëtorja e parë kombëtare shqipe me drejtues figura të njohura të Rilindjes Shqiptare, të cilët punuan me përkushtim dhe bënë sakrifica të mëdha për zhvillimin e arsimit kombëtar. /Blerona Jakupi/