close

A DO TË KTHEHET RRUGA “AMINTA” NË “LENINOVA”

Tani për tani vetëm paralajmërim, por shkupjanët nuk janë të befasuar nga një ndryshim i ri i emrave të disa prej rrugëve të Shkupit. Kryetari Petre Shilegov këtyre ditëve paralajmëroi anketë publike, për zgjedhjen e emrave të atyre rrugëve, të cilët në vitet e kaluara u ndryshuan siç thotë “në mënyrë të dhunshme” nga ana e paraardhësve të tij. A do të emërohet rruga “Aminta” në “Leninova”, “Majka Tereza” në “Vodnjanska”, ndërsa “Kosturski Heroi” në “29 Noemvri”?

Ky është një kënd konfuz në Shkup. Tri tabela me emrat e rrugëve, për një vend ku varësisht nga mosha, më mirë do t’ju kuptojnë nëse thoni – ju pres në “Leninova”. Kjo është një nga rrugët me aromë më të mirë në pranverë, me kafenetë më IN për të rinjtë, e gjelbërt gjatë muajit korrik dhe rrugë e cila në varësi nga periudha ka qenë e shënuar me numrin 216, sipas emrit të revolucionarit sovjetik Leninit, ndërsa viteve të fundit edhe sipas mbretit antik dhe gjyshit të Aleksandrit të Madh – Aminta. Por nëse do të pyeteshin banorët e saj, siç planifikojnë autoritetet e qytetit, për idenë që disa nga emrat e ndryshuar t’u kthehen emrave të mëparshëm, ata deklarojnë:

Banorët e Shkupit:

“Unë do të propozoja sërish të quhet Leninova, sepse është shumë e vështirë të ndryshojnë shprehitë e njerëzve, kujt i kam thënë se jetoj në rrugën “Aminta Treti” më pyesin ku është ajo? Nuk e kanë të qartë. Por, Leninova është shumë e njohur, kështu ka qenë me vite, pse duhet të ndryshohet?”

“Do të doja ta mbajmë emrin e përhershëm, “Aminta Treti” , sepse është pjesë e historisë sonë, dikush e pranon, dikush jo, por kjo është kjo.”

“ Emri i vjetër është më i njohur, Shkupi është më i popullarizuar, rruga “Leninova”. Para kësaj mendoj se quhej rruga “216”. “Vodnjanska” tani është “Majka Tereza”, ndërsa të gjithë e njohin si Vodnjanska”.”

Në ueb-faqen e qytetit të Shkupit tani për tani nuk ka sqarim për qytetarët, as detaje të tjera cilat rrugë do ta mbajnë emrin e vjetër apo të ri, edhe pse kryetari Petre Shilegov në fundjavë njoftoi se qytetarët do të kenë qasje në anketë menjëherë.

“E dini se në të kaluarën në mënyrë të dhunshme janë emëruar shumë nga rrugët tona. Duam t’i dëgjojmë qytetarët, mendimet e tyre. Unë personalisht jetoj në rrugën “Meksiçka”, e cila u emërua në “Petre Piruze”, gjë që mendoj se nuk është në rregull, duke pasur parasysh se qyteti ynë është qytet i solidaritetit, i humanitetit, ndërsa atë lagje e ka ndërtuar shteti i Meksikës dhe populli meksikan, dhe t’ua marrim këtë të drejtë, në Taftalixhe, mendoj se nuk është në rregull.” -tha Petre Shilegov, Kryetar i Shkupit.

Siç tha edhe vetë ai jeton në këtë rrugë…

Edhe disa prej fqinjëve të tij nuk e kanë pasur të lehtë ta harrojnë emrin e vjetër, kështu që në disa shtëpi ka nga dy tabela, me të dy emrat. Kur u ndryshua emri i rrugës “Meksiçka” reaguan edhe shumë banorë të tjerë të lagjes Taftalixhe, e ndërtuar pas tërmetit në vitin 1963, me baraka të dhuruara nga shumë vende të botës, arsye për të cilën numri më i madh i rrugëve ende i mbajnë emrat Varshavska, Prashka, Vienska, Kairska.

Këtyre ditëve rrjetet sociale janë të mbushura me reagime pas paralajmërimit për ndryshim të ri të emrave të rrugëve të Shkupit, me propozime nga më të ndryshmet. Deri në zgjidhjen përfundimtare u mbetet banorëve në varësi të moshës të shërbehen me emrin që u ka mbetur në memorie, ose në varësi të bindjes politike – të zgjedhin njërën ose tjetrën. Siç është shembulli i rrugës “Kosturski Heroi” ose ish “29 Noemvri”. /Biljana Georgievska/