“Për ministrat e BDI-së fjalën e fundit e ka Ali Ahmeti”
Ministrat e BDI-së janë të koncentruar në punën e tyre, e për “fshesën” thonë që pyetet Ali Ahmeti.
“Jemi të fokusuar në punën që e bëjmë, maksimalisht jemi të fokusuar në resorin dhe obligimet që rrjedhin nga puna në ministrinë që e kemi dhe vazhdojmë me punën e paraparë.” –tha ministri i Arsimit Arbër Ademi.
“BDI ka organet e saja, ka kryesinë e saj, ka këshillin e saj por njëkohësisht e ka edhe liderin Ali Ahmetin, i cili vendos në fund sa i përket ndryshimeve eventuale në Qeveri. Unë jam pjesë e Bashkimit Demokratik për Integrim, dhe sa i përket pozicionit tim për atë vendos Bashkimi Demokratik për Integrim dhe lideri, Ali Ahmeti.” deklaroi Kreshnik Bekteshi.
Bekteshi thotë se shumica e premtimeve të dhëna janë realizuar, e aty ku ka pas pengesë në realizim kryeministri duhet të flas me kreun e partisë, Ali Ahmeti që të përcaktohet se a është i nevojshëm rikonstrukcioni i Qeverisë. E kryeministri ditë më parë paralajmëroi se këto ditë do të ulët me Ahmeti dhe me partnerë tjerë të koalicionit për të biseduar për ndryshimet, por kjo nuk do të ndodhë në katër ditët e ardhshme.
Nga Qeveria informojnë se për arsye private, kryeministri ka vendosur të marrë katër ditë pushim. Ministri i parë që u tërhoq ishte Asaf Ademi, i cili për arsye shëndetësore vendosi të largohet nga Ministria e Kulturës, por kryeministri nuk e konfirmoi se me këtë resor do të vazhdoj të udhëheq Alternativa. /Furkan Saliu/