Për momentin nuk zbulohen emrat e të dyshuarve
Bota e tenisit është tronditur nga një aferë e madhe. Policia spanjolle ka arrestuar 83 persona, duke llogaritur edhe 28 tenistë profesionistë për shkak të dyshimeve për kurdisjen e ndeshjeve profesionale të tenisit – ka njoftuar sot EUROPOL-i.
“Një grup i organizuar kriminal i kyçur në kurdisjen e ndeshjeve profesionale të tenisit, është arrestuar në një operacion të drejtuar nga Garda Civile spanjolle së bashku me Prokurorinë shtetërore. Në mesin e 83 të arrestuarve, 28 janë tenisitë profesionistë, kurse nën dyshime janë 97 ndeshje të kurdisura” – thuhet në komunikatën e Europolit.
Policia spanjolle ka bastisur 11 shtëpi, ku janë konfiskuar 167 mijë euro, një armë dhe pesë vetura luksoze, kurse janë bllokuar edhe 42 llogari bankare të të dyshuarve në këtë kurdisje. Tash për tash nuk është zbuluar identiteti i asnjërit prej të dyshuarve. EUROPOL-I nuk ka zbuluar as edhe emrat e 28 tenistëve të dyshuar, por thuhet se njëri prej tyre, vitin e kaluar, ka qenë pjesëmarrës në Turneun prestiogjioz US OPEN. /Shaban Sinani/