close

AKSION I POLICISË FINANCIARE NË LUBOTEN TË SHKUPIT

Konfiskohet sasi e madhe duhani-reagojnë banorët


Në një aksion të policisë financiare, të mbështetur edhe nga njësi speciale për ndërhyrje të shpejtë, në fshatin Luboten, rrethina e Shkupit, sot u konfiskua sasi e madhe e duhanit. Banorët lokalë e akuzojnë policinë se ua shkatërron punën e tyre dhe pronat. Pasditen e sotme priten sqarime zyrtare nga shërbimet e sigurisë rreth aksionit të sotëm.

Në një aksion policor të organizuar nga policia financiare në bashkëpunim me MPB-në, forca të njësive speciale në fshatin Luboten të Shkupit është konfiskuar sasi e konsiderueshme duhani. Banorët e mbledhur në fshatin Luboten, 20 kilometra nga Shkupi, të shqetësuar nga prania e policisë reaguan ashpër. Kordoni I policisë I ka zgjuar që në pesë të mëngjesit.

Policia financiare aksion të ngjajshëm sot ka zhvilluar edhe në fshatrat Haraçinë, Vizbeg dhe vende të tjera. Policia financiare aksionin e ka kryer në bazë të dyshimeve se banorët në shtëpitë e të cilëve  është kryer bastisja kanë bërë kontrabandë të mallrave të akcizës dhe kanë bërë mashtrime të doganave.

Ndërkohë, duhani i konfiskuar nga fshati Luboten, pasdite u ekspozua për opinionin në Kazermën e Ilindenit. Në kamionë u panë edhe maqineritë për prerjen dhe përpunimin e duhanit, kutitë e kartonit ku është bërë paketimi për shitje nëpër tregje. Siç thuhet është kontrabanduar nga Shqipëria, Serbia, Bullgaria dhe Greqia, nga së paku katër persona juridik që hetohen nga Policia Financiare dhe u është shitur personave fizik, në formë të kontrabanduar, që e kanë përpunuar dhe distribuar nëpër tregje.

“Një grup i personave juridik dhe fizik nga Maqedonia e Veriut kryejnë importin e duhanit të papërpunuar të llojit “Virxhinia” që dallohet nga duhani i prodhura vendas edhe sipas cilësisë, por edhe sipas madhësisë së gjetheve, kurse i njëjti nuk është i lejueshëm që të prodhohet në vend. Duhani i paprëpunuar në gjethe distribuohet në shumë lokacione të Maqedonisë së Veriut, ku sipas njohurive tona ekzistojnë makina të jashtëligjshme me të cilët bëhet prerja e tyre.” -Arafat Muaremi- Drejtor i Policisë Financiare.

Me këto biznese të jashtëligjshme, sipas Muaremit, për vetëm një vit e gjysmë buxheti I vendit është dëmtuar për 7.5 milion euro. Kurse sipas Drejtorit të Drejtorisë së Doganave Gjoko Tanasovski, dëm I është shkaktuar edhe shëndetit të njerëzve që kanë blerë duhani, për shkak se, sic tha, analizat kanë treguar se duhani I prerë përmban pesticide që janë të rrezikshme për shëndetin.

“Për shkak të mënyrës jo përkatëse të përpunimit dhe ruajtjes përmban mikotoksine që janë helmuese dhe që paraqiten si lloje të ndryshme të mykjes dhe kanë pasoja të dëmshme nga helmimi akut dhe paraqitja e kancerit.”- shprehet Drejtor i Drejtorisë së Doganave.

Për bisedë informative sot janë ftuar katër persona, kurse ppersonat juridik mbeten në shënjestër të kontrolleve – thonë kompetentët. Operacione të njëjta janë zhvilluar edhe në fshatra tjerë të rrethit të Shkupit, në Haracinë dhe Vizbeg. Autoritetet doganore shtojnë se vetëm dhjetë kompani të regjistruar si blerës të duhanit kanë të drejtë të importojnë gjethe duhani për përpunim të mëtejshëm. Kompetentët thanë se ky biznes i jashtëligjshëm është në fokusin e tyre që nga viti 2018. /Biljana Georgievska/

Nëse je pranë një vendi ngjarje, ke fotogorafi apo video, atëherë ti raporto. Na shkruaj në klanmacedonia@gmail.com
TI RAPORTON!