close

AKSION TRADICIONAL I DHURIMIT TË GJAKUT

Tradicionalisht për të 17-ën herë me radhë Organizata e Kryqit të Kuq së bashku me institutin për transfuziologji organizuan aksion për dhurimin e gjakut me rastin e festës së Shën Mërisë. Nga instituti pohojnë se ka rezerva të mjaftueshme nga të gjitha grupet e gjakut, ka mjaftueshëm madje edhe nga grupet e rralla, por apelojnë që qytetarët të kyçen në këto aktivitete.

Me rastin e festës së Shën Mërisë organizata e Kryqit të Kuq të Maqedonisë së bashku me institutin për transfuziologji sot organizuan aksion të dhurimit të gjakut për të 17-ën herë me radhë. Sekretari organizativ i Kryqit të Kuq thotë se nga fillimi deri sot numri i dhuruesve të gjakut është rritur.

“Kur filluam në vitin 2003 në aksion morën pjesë 146 dhurues të gjakut, në vitin 2018 përfunduam me 264 dhurues të gjakut, ndërsa numri total i dhuruesve të gjakut në këto 17 vite ka arritur në 3708 dhurime të gjakut, ose mesatarisht 232 dhurime të gjakut në aksionet për dhurimin e gjakut.” –theksoi Valentina Koleska.

Qëllimi i aksionit është që të sigurohen sasi më të mëdha të gjakut në periudhën e verës, për shkak të mundësive të mungesës së gjakut dhe derivateve të tij.

“Në vendin tonë, njësoj si në nivel global më të rralla janë grupet e gjakut me RH (Rezus faktor) negativ. Këto definitivisht janë grupet e gjakut B negativ dhe A negativ, por ne kemi rezerva të mjaftueshme të të gjitha grupeve të gjakut, kështu që gjithmonë bëjmë thirrje, çdo lloj deficiti është me karakter të përkohshëm.– shprehet Bojan Todorovski, mjek.

Dikush për herë të parë, dikush për të 10-ën herë, dhuruesit e gjakut janë të kënaqur, thonë se kjo është minimumi që mund të bëjnë.

Një vepër e mirë që për mua ndoshta është gjest i vogël, por për dikë d.m.th shumë. Ky është këndvështrimi im për ngjarjet e këtilla dhe dhurimin e gjakut. Nuk ka shumë kohë që jam dhurues gjaku, kjo është hera e tretë që dhuroj, hera e dytë në këtë festë të krishterë.”- vlerëson njëri nga dhuruesit e gjakut.

“Dhuroj gjak për herë të dytë, ndjehem shumë mirë, më i freskët, shumë njerëz kanë nevojë për këtë, kjo është diçka minimale që mund ta bëjë secili që ka shëndet të mirë, edhe për vete gjithashtu është edhe vepër e mirë. Secili prej nesh në një farë mënyre është super hero, me këtë mund të ndihmojë pak.”-përfundon njëri nga dhuruesit e gjakut.

Gjak mund të dhurojë çdokush, jo vetëm personat nga 18 deri në 65 vjeç, por edhe ata prej 17 deri në 18 vjeç, për çka nevojitet pëlqim me shkrim nga prindi ose kujdestari tjetër. Në vendin tonë vetëm 15 deri në 18 % e grave dhurojnë gjak, ndërsa burrat prej 82 deri në 83%. /Verica Dimitrijevska/