close

AKSIONI ANTI-DUHAN: VAZHDOJNË HETIMET PËR “VIRXHINIA”

Në kuadër të aksionit kundër trafikimit të duhanit, Policia Financiarepërmes një komunikate për opinionin ka konfirmuar kryerjen e bastisjes në disa kompani që dyshohet se janë të përfshirë në trafikimin e duhanit.

Në disa firma sot janë kryer bastisje në bazë të dyshimeve për kontrabandë të duhanit, të llojit “Virxhinia” ku 12 tonë u konfiskuan nga aksioni i paradokohshëm në Luboten të Shkupit. Lidhur me këtë aksion janë prononcuar nga Policia Financiare.

“Në bazë të urdhërave të Prokurorit Publik dhe në bazë të njohurive për krim financiar – trafikim dhe mashtrime doganore, bastisje janë kryer tek disa persona juridik – importues të gjetheve të duhanit, por edhe tek persona fizik – që kanë patur rolin e ndërmjetësit për shitjen e jashtëligjshme të duhanit.” –thuhet nga Policia Financiare.

Nuk ka detaje tjera lidhur me këto hetime, të cilët para dy ditëve përfshinë bastisjet e dhjetëra shtëpive në Luvoten por edhe në vende tjera të rrethit të Shkupit, ku u konfiskuan duhan dhe maqina për përpunimin e tij.

Policia Financiare ka njoftuar se me këtë biznes për një vit e gjysmë, buxheti i shtetit është dëmtuar për 7.5 milionë euro. Njëkohësisht thuhet se shfrytëzimi i duhanit të këtillë mund të shkaktojë rrezik për shëndetin, për shkak se lloji “Virxhinia”, që nuk lejohet të kultivohet në Maqedoninë e Veriut, përmban nivele të larta të toksineve, pesticideve dhe mykjeve.

Jozyrtarisht thuhet se disa nga firmat për të cilat ekzistojnë dyshime se kanë trafikuar duhanin janë firma “fantome”, respektivisht të regjistruar në emër të personave që nuk ekzistojnë ose që nuk janë shtetas të Maqedonisë së Veriut.

Nëse je pranë një vendi ngjarje, ke fotogorafi apo video, atëherë ti raporto. Na shkruaj në klanmacedonia@gmail.com
TI RAPORTON!